Lajme

Këto janë vendimet e miratuara në mbledhjen e sotme të Qeverisë

Qeveria e Kosovës ka mbajtur të mërkurën mbledhjen e tetë të rregullt, në të cilën ka miratuar katër projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit juridik me Suedinë dhe Belgjikën, si dhe një sërë raportesh dhe vendimesh të tjera.

Ndër projektligjet e miratuara janë marrëveshjet me Mbretërinë e Suedisë për ekstradim, ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale dhe transferimin e personave të dënuar.

Po ashtu, është miratuar Projektligji për Ratifikimin e Traktatit për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështje Penale ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës.

Sipas njoftimit të Qeverisë, këto marrëveshje synojnë forcimin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, avancimin e sundimit të ligjit dhe lehtësimin e procedurave në çështjet penale ndërmjet shteteve.

Në mbledhjen e mbajtur më 28 tetor, Qeveria miratoi edhe Raportin për Vlerësimin Ex-Post të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, si dhe Raportin për Gjendjen e Mjedisit në Kosovë për vitin 2025, i cili do t’i procedohet Kuvendit.

Po ashtu, Qeveria vendosi t’i propozojë Kuvendit emërimin e 15 anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës, nga fusha të ndryshme, përfshirë psikologjinë, ekonominë, historinë, gjuhësinë, matematikën dhe inxhinierinë.

Në fushën e infrastrukturës, u miratuan vendime për shpronësime që lidhen me projekte rrugore në Prizren dhe Klinë, si dhe u shqyrtua më tej kërkesa për shpronësim për projektin e autostradës Prishtinë–Gjilan–Dheu i Bardhë, në segmentin Banullë–Bresalc.

Ndër vendimet e tjera ishte edhe miratimi i kërkesës së Komunës së Prizrenit për ndarjen e 1 milion e 489 mijë e 670 eurove për projektin “Efiçienca e Energjisë në Ndërtesa Publike në Prizren”, përmes Klauzolës së Investimeve.

Qeveria ka bërë të ditur se vendimet janë marrë në mbledhjen e saj të tetë të rregullt, të mbajtur në Prishtinë.

Të Ngjashme