Lajme

KFOR dhe Islanda zgjasin marrëveshjen për hapësirën ajrore mbi Kosovë deri në vitin 2028

Përfaqësuesit e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe Islanda kanë nënshkruar në Reykjavik marrëveshjen për zgjatjen e bashkëpunimit lidhur me hapësirën ajrore mbi Kosovën.

Sipas KFOR-it, marrëveshja e re do të jetë në fuqi deri më 31 dhjetor 2028.

“Marrëveshja për zgjatjen siguron vazhdimin e partneritetit ndërmjet KFOR-it dhe Qeverisë së Islandës, përmes Autoritetit Islandez të Transportit (ICETRA)”, thuhet në njoftim.

Ky bashkëpunim synon të mundësojë hapjen e rrugëve të reja komerciale ajrore në hapësirën e ulët ajrore mbi Kosovën.

Sipas KFOR-it, marrëveshja bazohet në bashkëpunimin e gjatë ndërmjet misionit dhe Islandës dhe kontribuon në përpjekjet për përdorim të sigurt dhe efikas të hapësirës së ulët ajrore mbi Kosovën.

“KFOR vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe në lirinë e lëvizjes”, thuhet në komunikatë.

Të Ngjashme