Lajme

​ KFOR-i takohet me Listën Serbe

Zëvendëskomandanti i KFOR-it gjeneral brigade, Federico Bernacca ka pritur sot në takim një delegacion të Listës Serbe, me të cilin ka biseduar mbi zhvillimet e fundit të sigurisë, duke përfshirë veriun e Kosovës.

Në njoftimin e KFOR-it thuhet se gjenerali Bernacca dëgjoi shqetësimet e shprehura nga Lista Serbe dhe kryetari i saj Zlatan Elek.

“Ata ndanë pikëpamjet mbi zhvillimet e fundit të sigurisë, duke përfshirë veriun e Kosovës. Gjenerali Bernacca dëgjoi shqetësimet e shprehura nga delegacioni vizitues. Ai theksoi se KFOR-i ka një prani të dukshme dhe fleksibël në mbarë Kosovën dhe është i përgatitur mirë për të adresuar çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë”, thuhet në njoftim.

“Ai përsëriti përkushtimin e palëkundur të misionit për të kontribuar në sigurinë dhe stabilitetin për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, në përputhje me mandatin e tij të gjatë të OKB-së. Në këtë drejtim, KFOR-i vazhdon të mbështesë plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet më tej.