Lajme

KFOR nis hetimet pas pretendimeve se ushtarët kanë blerë drogë

Misioni Paqeruajtës i NATO-së në Kosovë (KFOR) ka nisur një hetim për të zbardhur dyshimet lidhur me një video të publikuar në media, ku aludohet se ushtarë të KFOR-it po blinin drogë, të llojit kokainë.

Në video duket një shpëndarës dorge që punon me ushtarët e KFOR-it për të siguruar lëndën narkotike.

Ndërkohë në një reagim për mediat kosovare, KFOR-i bën me dije se ka nisur një hetim për të vërtetuar faktet.

“NATO-ja e mban të gjithë personelin e saj me standardet më të larta profesionale dhe etike dhe respekti për sundimin e ligjit është parësor.

KFOR-i vazhdon të zbatojë plotësisht dhe në mënyrë të paanshme misionin e tij për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999,” njofton KFOR.