Një mjek i specializuar në trajtimin e obezitetit dhe kirurgjinë për humbje peshe po paralajmëron gratë që përdorin injeksione për dobësim se pilula kontraceptive mund të jetë më pak efektive gjatë përdorimit të barnave GLP-1.
“Nëse mbështeteni te pilula kontraceptive që merret nga goja, duhet të përdorni edhe një metodë shtesë mbrojtjeje, si prezervativët,” thotë dr. Wiljon Beltre, kirurg bariatrik dhe metabolik i certifikuar.
Megjithatë, ndikimi i injeksioneve për humbje peshe te pilula kontraceptive varet nga lloji i ilaçit GLP-1 që përdorni.
“Vetë Wegovy nuk e pengon drejtpërdrejt funksionimin e pilulës kontraceptive në zorrë,” shpjegon dr. Beltre, i specializuar në procedurat e avancuara për humbje peshe.
“Ky paralajmërim për përthithjen vlen në fakt për barna si Mounjaro dhe Zepbound.
“Problemi kryesor me Wegovy lidhet me efektet anësore. Nëse merrni pilulën e përditshme dhe pastaj villni brenda dy orësh për shkak të të përzierave, trupi nuk ka pasur ende kohë ta përthithë atë.
“Është njësoj sikur ta kishit harruar pilulën.Edhe nëse keni diarre të fortë për disa ditë, hormonet kalojnë shpejt nëpër organizëm pa pasur kohë të veprojnë.”
Mjeku thotë se i njëjti problem vlen edhe për personat që përdorin Saxenda ose Victoza.Një tjetër faktor i rëndësishëm është humbja e shpejtë dhe e madhe në peshë.
“Nëse jeni person me obezitet, humbja e 15–20% të peshës trupore mund të rivendosë ekuilibrin hormonal. Gratë me sindromën e vezoreve policistike (PCOS) ose me obezitet të rëndë, të cilat mendonin se ishin infertile, mund të fillojnë papritur të ovulojnë sërish, duke rritur ndjeshëm fertilitetin natyral.Nëse kjo kombinohet me një pilulë kontraceptive që nuk është përthithur si duhet për shkak të të vjellave, krijohet situata ideale për një shtatzëni të paplanifikuar.”
Mjeku këshillon që gratë që kanë shpesh të përziera nga injeksionet për humbje peshe të kalojnë në një metodë tjetër kontraceptive, si sistemi intrauterin (IUS), patch-i kontraceptiv ose implanti.
Sa i përket Mounjaro-s, dr. Beltre thotë se problemi është edhe më i madh.
“Mounjaro mund të ndikojë drejtpërdrejt në përthithjen e pilulave kontraceptive.Kjo ndodh sepse ai vepron mbi dy hormone të zorrëve, dhe jo vetëm mbi një, duke e ngadalësuar shumë më tepër zbrazjen e stomakut, sidomos në fillim të trajtimit ose kur rritet doza.Ky ngadalësim i tretjes mund të ulë me rreth 20% nivelin maksimal të hormoneve kontraceptive që përthithen në qarkullimin e gjakut. Si pasojë, pilula nuk arrin në organizëm mjaftueshëm shpejt ose në sasinë e nevojshme për të garantuar mbrojtje të plotë.”
Për këtë arsye, mjeku rekomandon që gratë që përdorin pilulën kontraceptive nga goja të përdorin edhe një metodë shtesë mbrojtjeje, si prezervativët, për katër javë të plota pas injeksionit të parë të Mounjaro-s dhe për katër javë të plota pas çdo rritjeje të dozës.
