Lajme

“Kjo fundjavë është vendimtare” – Kurti jep sinjalin e fundit për marrëveshjen për presidentin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se kanë nisur komunikimet me liderët e partive politike lidhur me marrëveshjen për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Kurti ka thënë se ditët në vijim, veçanërisht kjo fundjavë, do të jenë vendimtare për arritjen e një marrëveshjeje politike, në mënyrë që javën e ardhshme Kuvendi të mund ta zgjedhë presidentin e ri.

“Kemi filluar komunikimet dhe, natyrisht, kjo fundjavë është vendimtare për të pasur një marrëveshje, që javën e ardhshme të kemi presidentin”, tha sot kryeministri Kurti, transmeton “Bota sot”.

Këto deklarata Kurti i bëri të premten gjatë Konferencës Ndërkombëtare për Fuqizimin e Grave, në një kohë kur procesi për zgjedhjen e kreut të shtetit ka hyrë në ditët e fundit të afatit kushtetues.

Kosova duhet ta zgjedhë presidentin deri më 6 tetor. Nëse Kuvendi nuk arrin ta përfundojë procesin brenda këtij afati, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.

Sipas afatit të përcaktuar, në rast të shpërndarjes së Kuvendit, zgjedhjet e reja duhet të mbahen më së largu më 15 nëntor.

Në këtë situatë, komunikimet mes partive politike gjatë ditëve të ardhshme pritet të përcaktojnë nëse do të arrihet marrëveshja për zgjedhjen e presidentit apo nëse vendi do të përballet me një tjetër proces zgjedhor.

Kurti nuk ka dhënë detaje të tjera për përmbajtjen e komunikimeve apo për emrin e mundshëm të kandidatit, ndërsa ka theksuar se qëllimi është që marrëveshja të arrihet gjatë kësaj fundjave dhe që presidenti të zgjidhet javën e ardhshme.

Të Ngjashme