Do të ndryshojnë fatet e njerëzimit gjatë muajit korrik, këtë e bën të ditur astrologia e famshme Meri Shehu, e ftuar në emisionin “Rudina”, këtë të hënë, më 29 korrik, për të bërë parashikimin e muajit korrik për të gjitha shenjat. Ajo shpjegoi se kjo do të ndodhë falë 4 planetëve, Neptunit, Uranit, Jupiterit dhe Plutonit, të cilët do të takohen në korrik dhe do të sjellin një ndryshim të madh, por energji pozitive.
“Do të ndikojë tek shumë njerëz, sepse prek shumë shenja, por kujdes se ka dhe kleçka korriku”
Sipas astrologes Meri Shehu, muaji korrik fillon me Diellin në Gaforre, i cili, sipas saj, na tregon që duhet të dëgjojmë zërin tonë të brendshëm.
“Nga ana tjetër, korriku fillon fuqishëm, sepse Marsi, i cili futet në shenjën e Binjakëve, takohet me Uranin dhe shenjat si Shigjetari, Binjakët, Peshqit dhe Virgjëresha e fillojnë në mënyrë të vrullshme dhe konfliktuale, sidomos në marrëdhëniet në çift dhe në bashkëpunime.”
Meri Shehu renditi shenjat duke i klasifikuar nga ato më me pak fat deri tek ato më fatlumet e muajit korrik.
12. Virgjëresha: Në datën 13 do të kenë një shkëputje marrëdhëniesh, tradhti, pasiguri në çift dhe në çështjet ekonomike. Kështu që Virgjëreshat e fillojnë kështu këtë muaj dhe me Marsin, i cili takohet me Uranin, do të kenë sulme në karrierë, në punë dhe ndryshime të papritura. Përmbahuni në 15-ditëshin e parë, se më pas gjërat fillojnë dhe rregullohen. Ky është një muaj që ju stërvit, sepse është viti tjetër që ju përket juve, ky vit jo.
11. Demi: Janë në një pozicion jo të mirë dhe fillojnë të qetësohen nga data 14 korrik me Hënën e re në Gaforre, pasi marrin një lajm të mirë, një rrugë të re, një mësim karmik dhe fillojnë edhe çlirohen më tej. Çështjet familjare krisen në fund të muajit dhe duhet të kenë kujdes çfarë humbin, çfarë fitojnë dhe çfarë kërkojnë në fund të kësaj periudhe.
10. Peshqit: Edhe kjo shenjë është e “keqtrajtuar” nga Marsi në Binjakë, i cili nuk e favorizon në marrëdhëniet familjare, nuk i kuptojnë, bëhen të vështirë ose çështjet e pronësisë nuk dalin mirë. Me Hënën e re fillojnë të çlirohen dhe marrin më shumë përgjegjësi. Do të kenë kujdes këtë vit për çështjet ekonomike. Jupiteri në Luan futet në çështjet ekonomike të tyre dhe thellësisht shpirtërore e të punës. Do të merren me veten e tyre, por pasiguritë rriten shumë në fund të muajit korrik, pasi çështjet ekonomike tronditen.
9. Bricjapi: Kjo shenjë është në një fat më të mirë. Do të marrin disa mësime karmike ose nga e kaluara do t’u sjellë disa nga mësimet që kanë marrë, kështu që do të mbijetojë Bricjapi gjatë muajit korrik dhe duhet të kenë kujdes me çështjet ekonomike në fund të muajit. Nuk duhet të bëjnë investime, lëvizje të mëdha apo të rrezikojnë shumë, pasi do të jenë të detyruar të falimentojnë.
8. Gaforrja: Gaforret do të merren me ekonominë, sepse janë shenja që e kanë “lugën në brez” në këtë muaj. Fundi i muajit jua përgjysmon interesat ekonomikë dhe i vë në një përballje shumë të madhe. Ju përgjysmohet fati në fund të korrikut, kështu që duhet të tregohen të kujdesshëm në gjërat që vendosin. Hëna e re në datën 14 korrik do ta zbusë situatën dhe gjërat për ju.
7. Binjakët: Ata i kanë të gjitha në dorë, por nuk duhet të entuziazmohen nga kjo, sepse mund të rrezikojnë. Nëse e përdorin si një kirurg mundësinë që kanë në dorë, mund të kemi Binjakë që do të ecin shumë përpara dhe do të arrijnë të bashkëpunojnë edhe me shenja të tjera, se përndryshe të gjithë do t’i kundërsulmojnë dhe Binjakët nuk do ta ruajnë dot ekuilibrin. Fundi i muajit do të jetë shumë i keq në çështjet erotike ose ligjore, kështu që duhet të bëjnë kujdes me Hënën e plotë në Ujor.
6. Peshorja: Porta e fatit ju jep të gjithë fatin Peshoreve dhe të gjitha Peshoret do të ndryshojnë jetën dhe fatin duke përdorur zgjuarsinë dhe përvojën sa ta marrin energjinë e këtij ndryshimi shumë të madh. Hëna e re në datën 14 korrik do t’ju japë një mundësi apo një shans që vjen nga e kaluara. Në fund të muajit do të kenë problematika shumë të forta në dashuri, në ligj, në ekonomi dhe Plutoni mund t’i detyrojë shumë Peshore të bëjnë hapa mbrapa në ekonomi për shkak të një detyre ose të një të mire të re.
5. Dashi: Janë prioritarë dhe Dashët e lindur në 10-ditëshin e parë do të kenë fat, iniciativë, ndryshime të mëdha në jetën e tyre dhe mund t’u paraprijnë edhe njerëzve të tjerë apo mundësive të shumta. Kanë një tendencë të mirë, pasi me Hënën e re ndryshojnë edhe çështjet familjare për mirë. Do të jetë viti erotik për Dashin, por fundi i muajit i ndan gjërat, kush do të vazhdojë më tej dhe bëhen llogaritë.
4. Shigjetari: Shenjat e zjarrit do të kenë përparësi për një vit të tërë. Do të jetë një shenjë që favorizohet në kontakte me jashtë, në ligj, në udhëtime, në studime. Do të çlirohen ekonomikisht nga data 14 korrik. Megjithatë, fillimi i muajit do të jetë i vështirë për këtë shenjë, sepse do të kenë sulme, antagonizëm, probleme në çift, ndarje, por marrin hov me Jupiterin në Luan, sepse sido që të vejë puna, fundi i muajit do të jetë i mirë.
3. Ujori: Është viti i tyre, por Hëna e plotë në Ujor në fund të muajit nuk do t’i lërë pa prekur në jetën personale, në ndryshime të mëdha dhe diçka duhet të lënë mbrapa që të ecin përpara. Ata që kanë pushtet duhet të lënë pas këtë pushtet të vjetër, tek i cili kanë marrë energji nga njerëz të tjerë, për të hapur rrugën drejt një pushteti të ri, që të jetë energjia më e unifikuar. Jeta personale e Ujorëve ndryshon komplet nga fundi i muajit.
2. Akrepi: Kjo shenjë do të bëjë karrierë, por nuk do të thotë se nuk do të kenë vështirësi, sepse Hëna e plotë me Ujorin nuk është në pozicion të mirë me Akrepin. Kalojnë një vështirësi në fund të muajit që ka të bëjë me familjen dhe karrierën, por kjo nuk do të thotë që muaji korrik nuk i jep atë stigmën që Akrepi duhet të ngjitet lart në karrierë.
1. Luani: Do të mbretërojë për muajin korrik. Do të humbasë para dhe besim në fillim të muajit, por do të fitojë dalëngadalë. Do të kenë kujdes në datën 29 korrik me Hënën e Plotë në Ujor, sepse edhe aty do të ndahet kush do të ecë përpara dhe kush do të ngecë mbrapa. Kujdes në datën 14 korrik, sepse Hëna e re do t’ju japë një shpërthim apo një energji shpirtërore në lidhje me ide se si duhet të përparojnë me gjërat e tyre. Nëse e marrin mesazhin në datën 14, do të fitojnë në datën 29 korrik për një vit të tërë.
