Ashtu siç kishte paralajmëruar pak ditë më parë bashkëshortja e këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi, Selvija, një tjetër projekt i artistit ka parë dritën e publikimit.
Bëhet fjalë për këngën “Nana”, e cila është publikuar zyrtarisht në YouTube dhe vjen si pjesë e angazhimit të familjes për të sjellë tek publiku krijimet që Shpati nuk arriti t’i publikonte gjatë jetës së tij.
Lajmin e kishte bërë të ditur vetë Selvija, e cila premtoi se do të vazhdojë të ndajë me fansat projektet muzikore që artisti kishte lënë të papërfunduara, duke mbajtur gjallë kujtimin dhe trashëgiminë e tij artistike.
Kënga është pritur me emocione të shumta nga admiruesit e Shpat Kasapit, të cilët kanë pasur mundësinë të dëgjojnë edhe një herë zërin e artistit të dashur.
Ajo që ka tërhequr më shumë vëmendje është videoklipi i realizuar për projektin. Përmes përdorimit të Inteligjencës Artificiale, janë krijuar skena simbolike ku Shpati shfaqet me krahë engjëlli pranë nënës së tij, duke i dhënë klipit një dimension të veçantë vizual.
“Nana” konsiderohet vetëm fillimi i publikimit të materialeve të tjera të lëna nga këngëtari, ndërsa familja e tij ka bërë të ditur se projekte të tjera pritet të publikohen edhe në vijim.
