Kuriozitete

Projektligji anti-SLAPP në proces konsultimi, Shqipëria përafron legjislacionin me BE-në për mbrojtjen nga paditë abuzive

Ministria e Drejtësisë ka hartuar dhe hedhur për konsultim projektligjin e posaçëm “Për masat procedurale dhe mbrojtjen e personave që angazhohen në pjesëmarrjen publike nga paditë haptazi të pabazuara dhe procedurat gjyqësore abuzive”. Nisma synon transpozimin e plotë të Direktivës (BE) 2024/1069, me qëllim garantimin e mbrojtjes efektive ndaj padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike, të njohura gjerësisht si SLAPP (Strategic Lawsuits Against Public Participation).

Në relacionin shpjegues të draftit, hartuesit nënvizojnë natyrën dëmtuese të këtyre procedurave gjyqësore, duke vërejtur se “inicimi ose vazhdimi i një procedure gjyqësore nuk synon në mënyrë parësore realizimin apo mbrojtjen legjitime të një të drejte, por përdoret për të ushtruar presion, për të frikësuar, penguar, kufizuar ose ndëshkuar persona që marrin pjesë në debatin publik”.

Për më tepër, relacioni evidenton se efekti frenues prodhohet pavarësisht rezultatit përfundimtar, pasi vetë detyrimi për t’u përballur me kosto të larta financiare dhe pasiguri “mund të krijojë një efekt frenues jo vetëm ndaj personit të paditur, por edhe ndaj personave të tjerë që mund të angazhohen në pjesëmarrje publike”.

Për të trajtuar këtë fenomen, projektligji përcakton një fushë të gjerë zbatimi që përfshin gazetarët, organizatat e shoqërisë civile, mbrojtësit e të drejtave të njeriut, aktivistët, studiuesit dhe çdo person fizik apo juridik që kontribuon në çështje me interes publik.

Ndryshe nga qasjet e mëparshme, Ministria e Drejtësisë ka vendosur që transpozimi të bëhet përmes një ligji të veçantë me shumicë të cilësuar (3/5 e votave), sipas nenit 81 të Kushtetutës. Hartuesit arsyetojnë se miratimi me shumicë të cilësuar “bën të panevojshëm ndërhyrjen në Kodin e Procedurës Civile”.

Projektligji, i përbërë nga 17 nene, parashikon disa mekanizma kyç proceduralë dhe mbrojtës.

Shqyrtimi me përparësi dhe afati 60-ditor

Gjykata detyrohet të shqyrtojë me përparësi kërkesat e të paditurit dhe të marrë vendim brenda 60 ditëve për garancinë e shpenzimeve apo rrëzimin e hershëm.

Garancia për shpenzimet gjyqësore (Neni 8)

Gjykata mund të urdhërojë paditësin të depozitojë paraprakisht garanci financiare për mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe avokatit. Nëse paditësi nuk e depoziton atë brenda afatit, gjykimi me kërkesë të të paditurit pushohet.

Rrëzimi i hershëm i padisë (Neni 9)

I padituri mund të kërkojë përfundimin e menjëhershëm të procesit nëse padia është haptazi e pabazuar, me barrën e provës që i kalon paditësit. Vendimi i rrëzimit konsiderohet përfundimtar.

Mbrojtja nga veprimet taktikuese (Neni 6)

Ndryshimi i objektit të padisë apo heqja dorë prej saj nga paditësi nuk pengojnë të drejtën e të paditurit për të kërkuar masat mbrojtëse dhe dëmshpërblimin.

Sanksionet dhe dëmshpërblimi (Nenet 11-13)

Në rastet e konstatimit të abuzimit, gjykata ngarkon paditësin me dëmshpërblimin pasuror dhe jopasuror, urdhëron publikimin e vendimit me shpenzimet e paditësit, si dhe mund të vendosë gjobë sanksionuese nga 50,000 deri në 300,000 lekë.

Mbrojtja ndaj vendimeve të shteteve të treta (Nenet 14-15)

Gjykatat shqiptare do të refuzojnë njohjen apo ekzekutimin e vendimeve të huaja që burojnë nga padi SLAPP, si dhe u njohin të drejtën subjekteve vendase të kërkojnë dëmshpërblim në gjykatat shqiptare për proceset abuzive të iniciuara jashtë vendit.

Gjatë konsultimeve teknike dhe publike me grupet e interesit — përfshirë Institucionin e Mediave Audiovizive (AMA), Asociacionin e Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) dhe përfaqësues të shoqërisë civile — janë rishikuar disa prej neneve kryesore. Ndër to, është riformuluar barra e provës te rrëzimi i hershëm, është saktësuar mundësia e paraqitjes së informacioneve me shkrim nga organizatat mbështetëse (Neni 7), si dhe është parashikuar një nen i posaçëm për mbledhjen dhe raportimin e të dhënave statistikore nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe publikimin e informacionit zyrtar nga Ministria e Drejtësisë.

Të Ngjashme