Lajme

KLSH e kapi me shkelje, ish-drejtori i ALUIZNI borxh shtetit 50 milionë lekë

Ish-drejtori i ALUIZNI, Mariel Murati është shpallur në kërkim prej 48 orësh me urdhër të Prokurorisë së Sarandës për ndërtimin e paligjshëm të një hoteli 7 katësh në Sarandë.

Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit zbulon se Mariel Murati i detyrohet 50 milionë lekë të vjetra shtetit.

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit i dërguar në 31 korrik 2023 në ASHK Sarandë tregon se Mariel Murati në vitin 2019 është pajisur me një tjerër leje legalizimi.

Bëhet fjalë për lejen për “Shtesë anësore 4 kate dhe në lartësi 1 kat me funksion social-ekonomik” dhe i pajisur me certifikatë pronësie për pasurinë nr. 26/385 rregjistruar në vol.23, faqe 174 me sipërfaqje 188 m2 “ND” dhe sipërfaqje të parcelës ndërtimore 470 m2 në emër të tij.

Ish-drejtori i ALUIZNI, Mariel Murati nuk i është përllogaritur vlera e truallit, sipërfaqja e parcelës ndërtimore prej 470 m2 bazuar në VKM e miratuar sipas zonës kadastrale, duke shkaktuar të ardhura të munguara në shumën prej 5.065.190 lekë.

Nuk dihet për cilin objekt dhe truall bëhet fjalë, por KLSH i ka rekomanduar ASHK Sarandë që të njoftojë poseduesin Mariel Murati që të kryejë këtë pagesë dhe deri sa të ndodhë kjo gjë, në kartelën e pasurisë së tij të vendoset “Kufizim i përkohshëm”.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo