Lajme

Klubi i Serie A ofron 5 milionë euro për Mirlind Dakun, rusët kërkojnë dyfishin

Cagliari në Serie A ka bërë një ofertë të re për Rubin Kazani, kjo për të blerë sulmuesin shqiptar Mirlind Daku.

Sipas gazetarit të njohur rus Ivan Karpov, Cagliari ofron 5 milionë euro, plus 3 milionë euro bonuse, pasi oferta e parë prej 3 milionë eurosh e ardhur në gjysmën e parë të korrikut u refuzua nga Rubin Kazan.

“Oferta nuk është e keqe, por gjithsesi nuk i përshtatet Rubinit. Siç kam raportuar më herët, klubi dëshiron ta mbajë Dakun ose të marrë të paktën 10 milionë euro për të”, ka shkruar Karpov.

Më herët babai i futbollistit, Fehmi Daku ka thënë se përveç Cagliarit, për djalin e tij janë të interesuar edhe për klubet e CSKA, Lokomotiva dhe disa klube nga Bundesliga.

Daku u transferua në Rubin në vitin 2023 nga klubi kroat Osijek, duke nënshkruar një kontratë tre vjeçare, ku shuma e transferimit ishte 1.2 milion euro. Sezonin e kaluar sulmuesi i Kombëtares, tani 26 vjeç luajti 33 ndeshje për Rubin Kazan në të gjitha garat dhe shënoi 10 gola. Ai ishte pjesë e Shqipërisë në Euro 2024.

Kujtojmë se pak ditë më parë Cagliari bleu nga Egnatia portierin e Kombëtares, Alen Sherri.