Lajme

KOK hap Javën Olimpike, sporti dhe fëmijët në qendër të aktiviteteve

KOK hap Javën Olimpike 2026, sporti dhe fëmijët në qendër të aktiviteteve mbarëkombëtare

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka nisur organizmin e javws Javës Olimpike 2026, e cila do të shënohet me një sërë aktivitetesh sportive dhe promovuese në vend.

Java Olimpike do të nisë më 1 qershor dhe do të zgjasë deri më 6 qershor. Në kuadër të saj do të zhvillohen aktivitete të ndryshme me qëllim të promovimit të sportit, vlerave olimpike dhe jetës aktive.

Gjatë një konference për media, krerët e sportit dhe ata komunalë zbuluan detajet e këtij organizimi, i cili ka filluar pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.

Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, theksoi se fokusi kryesor mbetet te fëmijët dhe masivizimi i sportit. Ai bëri të ditur se në këtë nismë janë përfshirë rreth 26 komuna në mbarë vendin, me synimin e qartë për të formuar një shoqëri më aktive dhe të shëndetshme, duke i inkurajuar të rinjtë që të merren sa më shumë me aktivitete fizike.

“falënderoj të gjitha komunat e Kosovës, sepse në këtë aktivitet marrin pjesë rreth 26 komuna në mbarë Kosovën, dhe me siguri që të gjithë fëmijët e Kosovës do të kenë mundësi që të marrin pjesë në këto aktivitete gjatë Javës Olimpike. Dita kryesore e kësaj jave është 4 qershori, ku do të jetë një aktivitet edhe më i madh në Prishtinë, ku do të ketë fëmijë të moshave 6 dhe 7 vjeç nga e gjithë Kosova dhe do të jetë një vrapim i përbashkët”, tha Krasniqi.

I pranishëm në hapjen e kësaj jave ishte edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili e lidhi këtë festë me përgatitjet intensive që kryeqyteti po bën si nikoqir i Lojërave Mesdhetare 2030. Rama vuri në dukje se investimet në infrastrukturën sportive janë duke u përshpejtuar vazhdimisht, me qëllim që Prishtina të transformohet në një qendër të vërtetë sportive për rajonin dhe më gjerë.

“E dini që kryeqyteti e ka një fokus të veçantë tash në aspektin e sportit sepse jemi edhe në proces të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030, ku Prishtina është nikoqire. Kështu që kemi përshpejtuar intensitetin e krijimit të hapësirave sportive në bashkëpunim edhe me Komitetin Olimpik, me federatat e ndryshme dhe Ministrinë e Sportit. Prandaj jam i gëzuar që jemi këtu së bashku dhe po i shtyjmë proceset përpara për të mirën e të rinjve tanë. Mbesim të përkushtuar në investime shtesë”, deklaroi Rama.

Nga ana tjetër, Halil Sylejmani, kreu i Komisionit Organizativ dhe i Federatës së Atletikës, zbuloi surprizën e madhe: më 4 qershor, mbi 1000 nxënës të moshave 6 dhe 7 vjeç do të pushtojnë qendrën e Prishtinës për një vrapim masiv, duke e kthyer kryeqytetin në një “festival” të vërtetë të sportit dhe rinisë.

“E kemi zgjedhur këtë datë për shkak të organizimeve të fëmijëve. Kemi punuar bukur mirë në bashkëpunim me shumë komuna dhe federata. Dita e vrapimit të fëmijëve do të jetë me 4 qershor, ku mbi 1000 fëmijë të moshës 6-7 vjeçare do të jenë në qendër. Do ta bëjmë vërtet një festival, sepse Kosova nuk ka pasur prej shumë vitesh organizim të tillë të Komitetit Olimpik”, bëri të ditur Sylejmani.

Aktivitetet e Javës Olimpike do të vazhdojnë me prezantimin e sporteve të ndryshme në sheshet kryesore të Prishtinës, ku qytetarët dhe fëmijët do të kenë mundësinë të njihen nga afër me disiplina të larmishme sportive dhe të bëjnë hapat e tyre të parë drejt jetës aktive.

Të Ngjashme