Lajme

Kolegët përkujtojnë Feti Voglin, komandon e Batalionit Special që u vra në Afganistan

Familjarë e kolegë të Forcave të Armatosura kanë kujtuar këtë të martë në një ceremoni të veçantë vrasjen e komendantit Feti Vogli në Afganistan, 12 vite më parë. Në bustin e tij në Tiranë janë vendosur kurora me lule, ndërsa ish-kolegët që shërbyen me të kanë mbajtur dhe një fjalë rasti.

Një ndër ta ka qenë dhe deputeti Denis Deliu, i cili 12 vite më parë ishte pjesë e misionit luftarak “EAGLE 4” në përbërje të Batalionit të Forcave Speciale, në Kandahar.

“Si sot, 12 vite më parë humbëm në misionin luftarak “Eagle 4” në Afganistan, kolegun dhe vëllanë tonë të luftës, Komandantin e Forcave Speciale të Ushtrisë, Kapitenin Feti Vogli dhe u plagosën pabesisht kolegu Aleksander Peci dhe Amerikani Michael Trost, nga një sulm taleban të infiltruar në policinë Afgane.

Vepra e tij nuk harrohet kurrë, kujtimi dhe mirënjohja për heroin Feti Vogli do të kujtohet dhe do të respektohet brez pa brezi, si simboli i luftëtarit që prin në krye të çdo beteje, duke sfiduar çdo rrezik dhe duke na dhënë modelin e njeriut trim, i ndershëm dhe i sakrificës. I përjetshëm kujtimi i tij”, shkruan Denis Deliu.

Denis Deliu ka qenë pjesë e Batalionit të Operacioneve Speciale, njësia elitë e Forcave Speciale të Shqipërisë dhe tre vite më parë vendosi të angazhohej në politikë, shkruan newsbomb.al.

Po ashtu, ish-komando që sot është deputet i partisë që drejton vendin, ka qenë pjesë e ekipit të misionit “EAGLE 4” që Shqipëria dërgoi në Afganistan në kuadër të angazhimit ndërkombëtar, ku fatkeqësisht ra Dëshmori i Atdheut, komandant Feti Vogli.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo