Lajme

Komisioni për Legjislacion miraton projektligjin për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

Komisioni për Legjislacion ka miratuar projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Në këtë mbledhje ishte edhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla.

Ajo tha se Byroja Shtetërore është garanci e pakompromis për drejtësi, integritet dhe besim të pakushtëzuar tek çdo qytetar i Republikës së Kosovës.

Sipas saj, projektligji nuk përcakton vetëm me rregulla dhe procedura normuese, por ndërton një sistem me llogaridhënës dhe me efektiv në luftimin e korrupsionit, për institucione më kompetente dhe më me integritet, i cili do të rrisë qasjen dhe besimin e qytetarëve në drejtësi.

“Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është mekanizëm vital, është instrumenti kryesor për të siguruar që pasuria e zyrtarëve publikë të jetë e verifikueshme dhe në përputhje me të ardhurat e ligjshme. Përveç se garanton se pasuria e krijuar në shpërputhje me të ardhurat e ligjshme do të konfiskohet dhe do t’i kthehet shtetit, Ligji njëkohësisht kontribuon që të hiqen dyshimet për pasuritë dhe zyrtarët, të cilët pasurinë e tillë e kanë krijuar në rrugë ligjore”, tha Gërvalla ndër të tjera.

Kritika për këtë projektligj ka dhënë deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.

Ai ka thënë përmendur tri çështje të këtij projektligji që sipas tij, bien ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuse

“Projektligji nuk i është nënshtruar konsultimit publik, gjë që është obligative sipas Rregullores së Punës së Qeverisë (Neni 49).Byrosë dhe Drejtorit të saj, në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe standardet tjera kushtetuese, i jepet e drejta për të rregulluar procedurat e verifikimit me akte nënligjore, në vend që këto të përcaktohen në vetë ligjin. Parashikimi i retroaktivitetit bie ndesh me disa ligje në fuqi. Ky projektligj nuk duhet të krijojë një strukturë paralele institucionale apo një “tigër prej letre”, por një institucion të mirëfilltë të drejtësisë dhe jo të partisë”, ka shkruar Tahiri në Facebook./teve1.info/

 

Të Ngjashme