Lajme

Komuna e Prishtinës kërkon që nesër ora e parë e mësimit t’i kushtohet luftës së UÇK-së

Komuna e Prishtinës u është drejtuar me një kërkesë të gjitha shkollave të kryeqytetit që ora e parë mësimore e ditës së nesërme t’i kushtohet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, historisë së luftës për çlirim dhe kontributit të çlirimtarëve për lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.

Në kërkesën e Drejtorisë së Arsimit thuhet se gjatë kësaj ore mësimore nxënësit duhet të njihen me rrugëtimin e vështirë drejt lirisë dhe shtetndërtimit, si dhe me sakrificat e mëdha që ka kaluar populli i Kosovës.

“Në kuadër të kësaj ore, ju ftojmë që me nxënësit të trajtoni, në mënyrë të përshtatshme për moshën e tyre, rëndësinë e luftës së UÇK-së, sakrificën e qytetarëve dhe të gjithë atyre që kontribuuan për çlirimin e Kosovës, si dhe proceset gjyqësore në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë edhe vendimin që pritet të merret”, thuhet në kërkesën e Drejtorisë së Arsimit.

Sipas kërkesës, qëllimi i kësaj ore mësimore është që nxënësit të njihen me historinë e afërt të vendit dhe të reflektojnë mbi rëndësinë e lirisë, paqes dhe kujtesës kolektive.

Kjo kërkesë vjen në prag të vendimit që pritet të shpallet nesër në Hagë lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Të Ngjashme