Lajme

KONFLIKTI I A*MATOSUR NË ORIKUM/ “Gjobitja” e Vasil Bedinajt me 5 mln euro, sot Gjykata e Vlorës jep masa e sigurisë për 5 të arrestuarit

Personat e arrestuar pas konfliktit mes biznesmenëve Vasil Bedinaj dhe Luan Muça në resortin “Regina Palm” në Orikum do të dalin para gjykatës për masën e sigurisë.

Dy prej të arrestuarve, Anxhelo Breshani dhe Blerim Heta, pritet të njihen me masën në Gjykatën e Vlorës, ndërsa për Luan Muçën, Klaudjo Lleshajn dhe Madrit Lleshajn procedura do të zhvillohet në Tiranë, pasi ndodhen në spital.

Ngjarja ndodhi më 3 shtator në ambientet e hotelit të Vasil Bedinajt në Orikum.

Një grup personash të armatosur mbërriti në resort me disa automjete dhe hyri brenda, ku u përball me biznesmenin.Sipas dëshmisë së dhënë nga Bedinaj, personat i kërkuan 5 milionë euro.

Ai ka pohuar gjithashtu se i është kërkuar të largohej nga Shqipëria brenda 48 orëve.

Pasi ka kundërshtuar, situata është përshkallëzuar në konflikt fizik dhe në ambientet e hotelit është qëlluar me armë në ajër.

Bedinaj njoftoi Policinë pas ngjarjes dhe në dëshminë e tij ka përmendur si persona që e kanë kërcënuar Luan Muçën dhe Madrit Lleshajn.

Për ngjarjen janë arrestuar pesë persona.

Dy prej tyre, Anxhelo Breshani dhe Blerim Heta, do të paraqiten në Gjykatën e Vlorës për masën e sigurisë.

Ndërsa Luan Muça, Klaudjo Lleshaj dhe Madrit Lleshaj ndodhen në spital në Tiranë dhe për ta masa e sigurisë do të shqyrtohet në kryeqytet.

Ndërkohë, përplasja mes dy biznesmenëve po hetohet në dy pista.Bedinaj ka folur për një kërkesë prej 5 milionë eurosh, ndërsa pala e Luan Muçës e ka kundërshtuar këtë version dhe e ka lidhur përplasjen me një konflikt pronësie dhe një investim në bregdetin e jugut.

Në lidhje me dosjen, Policia ka shpallur në kërkim edhe Bujar Muçën, vëllain e Luan Muçës, ndërsa po verifikohet edhe dyshimi se gjatë përplasjes mund të jetë plagosur një person tjetër.

Hetuesit kanë kontrolluar spitale në Vlorë, Fier dhe Tiranë për të verifikuar nëse është paraqitur ndonjë person me dëmtime që mund të lidhen me ngjarjen.

Gjithashtu, dy efektivë të Policisë Ushtarake rezultuan se kanë qenë në “Regina Palm” gjatë konfliktit.Sipas ministrit të Mbrojtjes, ata ishin jashtë shërbimit dhe janë pezulluar deri në përfundimin e verifikimeve për rolin e tyre.

Sot pritet që gjykatat të përcaktojnë masat e sigurisë për personat e arrestuar, ndërsa hetimi vijon për zbardhjen e plotë të konfliktit dhe përgjegjësive të secilit person.

Të Ngjashme