Lajme

Konjufca dënon sulmet e Huthëve ndaj Arabisë Saudite: Përbëjnë një përshkallëzim të rrezikshëm

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar ndaj sulmeve dhe kërcënimeve të Huthëve ndaj Arabisë Saudite, duke shprehur mbështetjen e Kosovës për Mbretërinë.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Konjufca ka dënuar sulmet e vazhdueshme, duke përfshirë edhe tentativat për sulme ndaj Riadit dhe qytetit të shenjtë të Mekës.

“Sulmet e vazhdueshme të Huthive ndaj Arabisë Saudite, përfshirë tentativat për sulme ndaj Riadit dhe qytetit të shenjtë të Mekës, shënojnë një përshkallëzim të rrezikshëm, të cilin e dënojmë fuqishëm”, ka shkruar Konjufca.

Ai ka shprehur solidaritetin e Kosovës me Arabinë Saudite, ndërsa ka riafirmuar mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të Mbretërisë.

Konjufca gjithashtu ka bërë thirrje për ndaljen e sulmeve ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile, si dhe për respektimin e lirisë së lundrimit.

“Sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile duhet të ndalen, ndërsa liria e lundrimit duhet të respektohet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, ka deklaruar Konjufca./teve1.info/

Të Ngjashme