Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, në fjalimin e tij gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë, tha se kërkon nga bashkëpartiakët e tij një mobilizim të madh për t’iu përgjigjur kundërshtarëve politike në zgjedhjet e shkurtit.
Ai tha se këta kundërshtarë politikë e kanë një strategji të tyre – atë që Konjufca e emëroi “strategji e gërryerjes” që t’ia marrin Vetëvendosjes nga 1-2 përqind për muajt e mbetur deri në zgjedhje.
“Pse unë po kërkoj prej juve një mobilizim me vullnet të çeliktë dhe shumë të fuqishëm? E kërkoj sepse po e shihni strategjinë – unë mendoj që kundërshtarët politikë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë një strategji që unë po dua ta quaj strategjia e gërryerjes. Çka i bie kjo? Kanë mbetur edhe katër muaj, për çdo muaj me mund me ia heq Lëvizjes Vetëvendosje ka 1 ose 2 përqind. Ata po mendojnë që e arrijnë mendimin e tyre. Pse kështu? Sepse atëherë krijohet një situatë politike, një gjendje e re politike e cila i vendos në pikëpyetje një arritje që unë konsideroj që ka qenë shumë e madhe e 14 shkurtit.
Konjufca tha populli i Kosovës është “inteligjent” meqë me një votë mbi 51 përqind për Lëvizjen Vetëvendosje ka hequr nga ekuacioni Listën Srpska, rrjedhimisht Beogradin.
“Çka ka arritur 14 shkurti? Me vetë faktin që populli ka votuar 25 përqind menjëherë e ka hequr prej ekuacionit Listën Srpska populli. Me automatizëm. D.m.th e ka hequr nga ekuacioni Beogradin. Kjo është një arritje kombëtare e paparë në Republikën e Kosovës, e cila ka ndodhur në vitin 2021 dhe këto e ka bërë populli jo thjesht VV. Ajo e ka prezantuar konceptin”.
Kryetari i Kuvendit tha për opozitën se po e kritikojnë pushtetin aktual të Vetëvendosjes për korrupsion, ndërsa vetë janë rrëzuar nga “korrupsioni i tyre”.
“Këta i ka rrëzuar korrupsioni dhe qata janë që po na folin kundër korrupsionit, qata që i ka rrëzu korrupsioni, korrupsioni i vet se thonë zullumi këputet prej trashi”.