Lajme

Kopjimet në teste, a duhet të anulohet testi i maturës dhe ai i arritshmërisë?

Nuk kalon vit që testi i Maturës Shtetërore nuk shpërndahet në rrjete sociale.

Edhe këtë herë, me të hyrë në provim, maturantët pa ndonjë pengesë e përhapën atë në grupe të ndryshme.

E jo vetëm maturantët, të njëjtën gjë e bënë edhe nxënësit e klasës së nëntë.

E gjithë kjo sipas njohësve të arsimit po ndodh për shkak të keqadministrimit.

“Problemi është tek administratorët, pasi nëse administratorët diku janë strikt e diku administratorët, po shpresoj që nuk ka ndodhë, por nëse ka ndodh të bashkëpunojnë me nxënësit, atëherë ndaj atyre nxënësve që kanë qenë nën administrimi strikt bëhet një padrejtësi”, shprehet eksperti i Arsimit, Dukagjin Pupovci.

Njëjtë mendon edhe drejtorit i Institutit Ed Guard, Rinor Qehaja.

“Ndër vite ne i kemi të njëjtat probleme të rikthyeshme, ato të ndërlidhura me keqadministrim, qoftë te testit të maturës apo atij të arritshmërisë, mirëpo ky keqadministrim është duke na u kthyer në një padrejtësi të targetume karshi kujdo që nuk keqpërdor në këtë testim. Si rrjedhojë edhe filtrimi nuk është real dhe i besueshëm”, thotw ai.

Por a duhet të anulohen në tërësi këto testime?

“Në këtë fazë që jemi, për shkak që nuk kemi ndonjë instrument tjetër që do të na filtronte tutje, atëherë këto dy testime janë të domosdoshme sepse e ke të pamundur të shkosh në fakultet me shkolla të mesme vetëm, për shkak se edhe ato nota nuk janë reale dhe valide”, vlerëson Qehaja.

Që këto testime nuk duhet të anulohen e thotë edhe ish zëvendësministri, Dukagjin Pupovci.

Por sipas tij duhet të përdoren më shumë masa ndëshkuese.

“Të aplikohen masa ndëshkuese aty ku lejohet. Ligji për testin e maturës lejon masa të tilla, madje janë shumë të rënda dhe mendoj që ato duhet të aplikohen ndaj atyre që qëllimisht bëjnë shkelje dhe që shkaktojnë që këtij provimi t’i humb kredibiliteti”, thotë Pupovci.

Me Ligjin e ri të provimit të Maturës shtetërore, janë përcaktuar masat disiplinore dhe gjoba për ata që e shkelin këtë Ligj, të cilat fillojnë nga 1 mijë deri në 20 mijë euro.

Tëvë1 ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Arsimit nëse është gjobitur dikush rreth shpërndarjeve të testit të maturës në rrjete sociale, por deri në publikimin e kronikës nuk ka marrë një përgjigje.

Të Ngjashme