Republika e Kosovës dhe Republika e Austrisë kanë nisur në Prishtinë negociatat për arritjen e një marrëveshjeje dypalëshe mbi bashkëpunimin gjyqësor në çështjet penale, me synim forcimin e bashkëpunimit juridik ndërmjet dy shteteve.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Drejtësisë, marrëveshja synon të krijojë një kornizë moderne juridike që do të lehtësojë dhe avancojë bashkëpunimin në fushën penale.
Ajo pritet të rregullojë fusha të rëndësishme si ndihma juridike e ndërsjellë, ekstradimi, transferimi i personave të dënuar, konfiskimi i pasurisë së përfituar nga veprat penale, si dhe forma të tjera të luftimit të kriminalitetit të rëndë.
Ministria thekson se marrëveshja do të mundësojë një bashkëpunim më efikas ndërmjet autoriteteve kompetente të të dy vendeve dhe do të kontribuojë në harmonizimin e procedurave të nevojshme për bashkëpunim gjyqësor.
Sipas njoftimit, negociatat pasqyrojnë marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, duke riafirmuar përkushtimin e përbashkët për forcimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e kriminalitetit ndërkufitar.
