Lajme

Kosova nënshkruan kontratë me kompaninë serbe për energjinë elektrike në veri

Korporata e Kosovës për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike njofton se është nënshkruar kontrata me kompaninë ‘Elektrosever’, e cila ka për qëllim normalizimin e shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, Zubin Potok, Leposaviç, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.

Nënshkrimi i kontratës, që u bë pa bujë dhe larg syve të medias, është pjesë e zbatimit të marrëveshjes për energjinë që ishte arritur në vitin 2013 dhe më pas qe konfirmuar në vitin 2015, në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në bazë të marrëveshjes, në qershor të vitit 2022 Zyra e Rregullatorit për Energji i dha licencën e operimit kompanisë serbe “Elektrosever”, e cila do të merret me shpërndarjen e energjisë elektrike në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veriun e Kosovës.

Që nga përfundimi i luftës së vitit 1999, banorët në veri të Kosovës nuk i paguajnë faturat e energjisë elektrike. Deri në vitin 2017, shpenzimet e energjisë në atë zonë janë mbuluar nga faturat e qytetarëve në pjesën tjetër të Kosovës, ndërsa nga 2017, paguhen përmes buxhetit të Kosovës.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se me zbatimin e marrëveshjes për energjinë do të kursehen dhjetëra miliona euro në vit që paguhen për energjinë e shpenzuar elektrike në veriun e Kosovës.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo