Lajme

Kosova nga zgjedhjet në zgjedhje: A rrezikohet pjesëmarrja qytetare më 7 qershor?

Në Kosovë, vitet e fundit janë karakterizuar nga një seri procesesh të shpeshta zgjedhore, duke përfshirë zgjedhje parlamentare, lokale dhe të parakohshme gjatë periudhës 2025–2026. Në këtë kontekst, zgjedhjet parlamentare të parashikuara për 7 qershor do mbahen në një klimë të ngarkuar politike dhe me tensione të vazhdueshme ndërmjet partive kryesore (LVV, PDK, LDK, AAK).

Kjo dinamikë e zgjedhjeve të përsëritura ka ngritur diskutime mbi ndikimin e mundshëm në pjesëmarrjen e qytetarëve në votime dhe në besimin e tyre ndaj institucioneve demokratike.

Zgjedhjet e shpeshta shpesh shoqërohen me lodhje elektorale dhe ulje të interesimit për procesin politik, gjë që mund të ndikojë në nivelin e pjesëmarrjes qytetare.

Një pjesëmarrje më e ulët në zgjedhje mund të ndikojë drejtpërdrejt në legjitimitetin e institucioneve dhe në përfaqësimin e vullnetit të qytetarëve. Për këtë arsye, mbetet e rëndësishme të analizohet ndikimi i kësaj situate në funksionimin e demokracisë në Kosovë, si dhe mundësitë për rritjen e besimit dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset zgjedhore.

Qarri: Ekziston rreziku real që as këto zgjedhje të mos sjellin zgjidhje, si dhe të ketë ulje drastike të pjesëmarrjes së qytetarëve në votime

E në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” ka folur analisti politik Gani Qarri, i cili kishte kritika të mëdha për skenën politike dhe faktin se Kosova brenda 16 muajsh po shkon tre herë në zgjedhje parlamentare.

Sipas tij, kjo situatë do të ndikojë natyrshëm te qytetarët, pasi dinamika e zgjedhjeve të shpeshta mund të ulë vullnetin për pjesëmarrje të votuesve potencialë në këtë proces.

Image
Gani Qarri

“Në fakt, para 27 vitesh Kosova u çlirua nga okupatori serb, por tash e 27 vite nuk po arrin assesi të çlirohet edhe nga vetvetja, derisa mizëria politike me ngërçe e bllokada institucionale është thelluar sidomos në dy vitet e fundit dhe për inate politike e ego individuale stagnohet çdo gjë me insinuata dhe inskenime antishtetërore, aq sa vendi vetëm brenda 16 muajve detyrohet, pa dëshirën e sovranit, të shkojë për herë të tretë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Duke marrë parasysh zhvillimet e fundit politike në Kosovë, ku janë mbajtur disa procese votimi në nivel komunal dhe atë nacional brenda një periudhe të shkurtër dhe vetëm gjatë viteve 2025–2026, po mbahen më shumë se 5 palë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe lokale, ekziston rreziku real që as këto zgjedhje të mos sjellin zgjidhje dhe kjo dinamikë e shpeshtë zgjedhjesh të përsëritet sërish, duke çuar në rënie edhe më të madhe të imazhit të Republikës së Kosovës në botë, si dhe në uljen drastike të pjesëmarrjes së qytetarëve në votime, përfshirë edhe zgjedhjet e 7 qershorit”, shtjelloi ai.

Krahas kësaj, Qarri konsideron se partitë politike zgjedhjet e 7 qershorit ua kanë imponuar qytetarëve.

Madje, sipas tij, as këto zgjedhje nuk janë të sigurta që do të ofrojnë zgjidhje për ngërçin e krijuar me rastin e procesit të zgjedhjes së presidentit të ri.

“Zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme parlamentare, të tretat me radhë brenda 16 muajve, të cilat përveçse nuk ishin të nevojshme dhe as të dëshiruara nga qytetarët, fatkeqësisht po u imponohen qytetarëve nga partitë politike aktuale, ani pse as që dihet nëse do të sjellin zgjidhje dhe nëse vërtet do të jenë të fundit për mandatin e ardhshëm 4-vjeçar, apo vetëm pas disa muajsh vendi do të detyrohet të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme parlamentare për shkak të pamundësisë së zgjedhjes së presidentit. Vetëm mbajtja e zgjedhjeve të 7 qershorit 2026 buxhetit të Kosovës do t’i kushtojë jo më pak se 10.8 milionë euro, që është një ngarkesë shtesë për popullin e frustruar dhe shtetin e brishtë të Kosovës.

Kjo është mënyra më perfide që armiqtë tanë kanë arritur ta involvojnë në politikën vendore, nga e cila shteti i Kosovës nuk po gjen qetësi dhe as nuk arrin ta marrë veten, ndaj dhe pasojat e mundshme të pjesëmarrjes së ulët në legjitimitetin e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe në përfaqësimin real të vullnetit qytetar na bëjnë me dije jo vetëm seriozitetin e gjendjes politike, por edhe faktin se kundërshtarët e shtetit të Kosovës nuk duhet domosdoshmërisht të kenë prapashtesa sllave për ta rrezikuar qëndrueshmërinë e tij”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, analisti shtoi se nëse vazhdon ky kaos politik edhe pas zgjedhjeve të 7 qershorit, atëherë situata mund të bëhet shqetësuese.

Këtu ai përmendi edhe nevojën për ndryshim të mënyrës së zgjedhjes së presidentit, duke propozuar që ai të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli.

“Kaosi aktual politik, i cili ka hyrë në vitin e dytë, me pretendencë reale që të vazhdojë edhe më tutje, ka bërë që ta shprehin publikisht brengosjen e tyre edhe vetë SHBA-të. Ndaj në gjendjen në të cilën kemi arritur, për t’i dhënë fund kaosit maratonik që ka bllokuar qëndrueshmërinë institucionale dhe ecurinë normale politike të shtetit të Kosovës, me t’u konstituuar Kuvendi duhet urgjentisht të votojë amendamentin i cili mundëson zgjedhjen e presidentit nga vota e popullit. Në të kundërtën, me politikbërës kaq të papërgjegjshëm, Kosova nuk do të arrijë ta zgjedhë presidentin dhe as të gjejë qetësi institucionale”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

Nimani: Zhvillimet politike në Kosovë kanë krijuar lodhje dhe irritim te qytetarët

Kurse analisti Artan Nimani vlerëson se zgjedhjet e njëpasnjëshme kanë krijuar lodhje te qytetarët.

Image
Artan Nimani

Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” u shpreh se është krijuar përshtypja që më shumë po shkohet në zgjedhje për interesa të partive politike sesa për interesa të shtetit.

“Zhvillimet politike në Kosovë kanë krijuar lodhje dhe irritim te qytetarët, sepse vendi po futet vazhdimisht në procese zgjedhore pa stabilitet dhe pa zgjidhje konkrete. Sot ekziston bindja se po shkohet drejt zgjedhjeve jo për interes shtetëror, por për kalkulime personale politike.”

Sipas tij, këto më shumë po duken si “rivotime” të krizës politike sesa zgjedhje normale demokratike.

Në këtë situatë, ai vlerëson se qytetarët kanë të drejtë edhe ta bojkotojnë procesin si formë pakënaqësie.

“Këto më shumë po duken si ‘rivotime’ të krizës politike sesa zgjedhje normale demokratike. Në këtë situatë, qytetarët kanë të drejtë edhe ta bojkotojnë procesin si formë pakënaqësie dhe proteste demokratike. Kur politika mendon vetëm për pushtet e zgjedhje të njëpasnjëshme, atëherë dëmtohet besimi në institucione dhe vetë kuptimi i demokracisë”, përfundoi Artan Nimani për “Bota sot”.

Të Ngjashme