Lajme

KPK-ja përgatit hapat e radhës për rekrutimin e prokurorëve të rinj

Komisioni për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit ka përgatitur hapat e radhës të procesit të rekrutimit të prokurorëve të rinj, duke përfshirë caktimin e datës së testit kualifikues dhe publikimin e listës së kandidatëve që do të vazhdojnë në fazën e ardhshme.

Sipas njoftimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, komisioni, i udhëhequr nga kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, ka mbajtur takim për të shqyrtuar çështjet që lidhen me vazhdimin e procesit të rekrutimit.

Gjatë takimit është përgatitur njoftimi për kandidatët që kanë kaluar fazën e përzgjedhjes preliminare dhe i plotësojnë kushtet për t’iu nënshtruar testit kualifikues.

Në takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Sekretariatit të KPK-së dhe zyrtarë përgjegjës për integrime evropiane, analitikë dhe verifikim prokurorial.

“Komisioni fton përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të organizatave ndërkombëtare, si dhe të gjitha palët e tjera të interesuara, për të monitoruar procesin e rekrutimit, në funksion të transparencës dhe besimit të publikut në këtë proces”, thuhet në njoftim.

Këshilli Prokurorial ka ritheksuar përkushtimin për një proces rekrutimi të drejtë, transparent dhe të bazuar në kritere të përcaktuara, duke garantuar trajtim të barabartë për të gjithë kandidatët.

Të Ngjashme