Këshilli Prokurorial i Kosovës u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike dhe kandidatëve që “të mos nxisin në diskursin e tyre publik gjatë fushatës zgjedhore çështjet që kanë të bëjnë me sistemin prokurorial”.
KPK tha në një deklaratë të lëshuar se kjo dëmton imazhin dhe besimin e publikur në sundimin e ligjit.
Reagimi i plotë:
Deklaratë e Këshillit Prokurorial të Kosovës lidhur me diskursin publik për sistemin prokurorial gjatë fushatës zgjedhore
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) u bën thirrje të gjitha subjekteve politike dhe kandidatëve që gjatë fushatës zgjedhore që filloi më 28 maj 2026, të përmbahen nga deklaratat dhe retorika, si dhe të mos përdorin dhe të mos nxisin në diskursin e tyre publik gjatë fushatës zgjedhore çështjet që kanë të bëjnë me sistemin prokurorial në përgjithësi dhe me Këshillin Prokurorial të Kosovës në veçanti.
KPK vlerëson se instrumentalizimi i çështjeve që lidhen me institucionet e drejtësisë për qëllime politike ose elektorale dëmton imazhin dhe besimin e publikut në sundimin e ligjit dhe në funksionimin e pavarur të sistemit prokurorial.
KPK mbetet e përkushtuar në ushtrimin e mandatit të saj kushtetues dhe ligjor, në mbrojtjen e pavarësisë së sistemit prokurorial dhe në forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.
