Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar 761 vëzhgues për ka akredituar 761 vëzhgues për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.
Përgjigje negative për vëzhgim pati për dy organizata pasi nuk kanë plotësuar kriteret ligjore, e ku njëra nga to iu referua Kosovës “Kosovë dhe M…”, duke mos e njohur sovranitetin e vndit.
Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala dha arsyetimin se pse iu refuzua e drejta për vëzhgim të procesit zgjedhor dy OJQ-ve.
Buzhala tregon pse OJQ që përdori termin “Kosovë dhe Metohi” nuk mund të akreditohet
“Odbor za kontrolu i opservaciju, gjatë shqyrtimit dhe vlerësimit të dokumentacionit të paraqitur nga kjo organizatë ndërkombëtare, ka konstatuar se në dokumentacionin zyrtar të saj i është referuar Republikës së Kosovës me terminologjinë “Kosovë dhe Metohi”, formulim ky që bie ndesh me rendin kushtetues dhe juridik të Republikës së Kosovës. Përdorimi i një emërtimi të tillë cenon drejtpërdrejt subjektivitetin shtetëror, integritetin kushtetues dhe rendin juridik të Republikës së Kosovës, siç përcaktohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përkatësisht me nenin 1 të saj, ku përcaktohet se Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm”. Përdorimi i kësaj terminologjie është në kundërshtim edhe me parimet themelore kushtetuese mbi sovranitetin, identitetin shtetëror dhe respektimin e rendit juridik të Republikës së Kosovës nga çdo subjekt që kërkon akreditim dhe ushtrim të aktivitetit në territorin e Republikës së Kosovës”, deklaroi ai.
Përveç kësaj organizate jo qeveritare në mbledhjen e sotme KQZ e refuzoi si vëzhguese të zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit edhe OJQ “Advocacy Center for Democratic Culture” pasi rezulton se nuk zhvillon veprimtari që ndërlidhem me proceset zgjedhore apo mbrojtjen e të drejtave të njeriut, siç kërkohet shprehimisht nga dispozitat ligjore në fuqi për akreditimin e vëzhguesve të zgjedhjeve.
Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Alban Krasniqi tregoi se materiali i nevojshëm për votim në përfaqësi diplomatike është nisur sot nga Kosova dhe pritet të arrijë brena javës së ardhshme.
Krasniqi: Materiali është nisur sot, arrin në javën e ardhshme
“KQZ e ka përgatitur tërë materialin e nevojshëm për votimin në përfaqësi diplomatike materialit janë nisur sot nga Kosova dhe do të pranohen sot në përfaqësitë diplomatike përkatëse gjatë javës së ardhshme. Sipas rregullores materialet pranohen nga menaxheri i qendrës së votimit shefi i misionit dhe të njëjtat vendosen në dhomën e sigurisë“, deklaroi ai.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme ka pezulluar partinë politike të regjistruar EKO LËVIZJA E GJELBËR duke i dhënë afat prej 45 ditësh për të mbajtur Kuvendin Zgjedhor në të kundërtën ky subjekt do të ç’regjistrohet.
Gjat[ k[saj mbledhje KQZ mori vendim për emërimin e anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve të rregullta dhe me kusht të cilët do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, më 7 qershor 2026.
Sipas vendimit të KQZ-së, në 2,498 vendvotime për votimin e rregullt (911 Qendra Votimi) do të angazhohen 12,678 anëtarë, 1,043 prej të cilëve janë anëtarë rezervë. Në mbledhjen e radhës, planifikohet emërimi edhe i rreth 700 anëtarëve për angazhim në vendvotime të rregullta në komuna të ndryshme të vendit. Ndërkaq, në 52 vendvotime për votimin me kusht (38 Qendra Votimi) do të angazhohen 192 anëtarë. Anëtarët e Këshillave të Vendvotimeve të emëruar nga KQZ, përfaqësojnë subjektet pjesëmarrëse në zgjedhje dhe do të jenë përgjegjegjëse për përgatitjen dhe administrimin e procesit zgjedhor në vendvotime, raporton kp.
Po ashtu, KQZ mori vendim për emërimin e anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve në përfaqësitë diplomatike, të cilët do të angazhohen në procesin e votimit që do të zhvillohet më 6 qershor 2026. Sipas vendimit të KQZ-së, në 47 vendvotime që do të hapen në kuadër të 30 përfaqësive diplomatike (17 ambasada dhe 13 konsullata) të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës, do të angazhohen rreth 200 anëtarë, të cilët përfaqësojnë subjekte të ndryshme politike.
