Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar listën përfundimtare të qendrave të votimit ku do të zhvillohet procesi zgjedhor më 7 qershor 2026, në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Sipas vendimit të KQZ-së, në secilën komunë është caktuar nga një qendër votimi me kusht, duke e çuar në 38 numrin e përgjithshëm të këtyre qendrave në nivel vendi. Në to do të funksionojnë gjithsej 52 vendvotime të dedikuara për votimin me kusht.
KQZ ka bërë të ditur se votimi me kusht mund të realizohet nga votuesit në cilëndo komunë të Kosovës, pasi vendi përbën një zonë të vetme zgjedhore dhe fletëvotimet janë të njëjta në të gjitha komunat.
Kjo formë votimi u mundësohet qytetarëve që figurojnë në listën votuese, por që për arsye objektive nuk mund të votojnë në vendvotimin e tyre të rregullt.
Votat me kusht nuk numërohen në ditën e zgjedhjeve, por në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), disa ditë më vonë, pas përfundimit të procedurave të verifikimit.
Për procesin zgjedhor brenda vendit janë planifikuar 949 qendra votimi me gjithsej 2,550 vendvotime. Prej tyre, 911 qendra me 2,498 vendvotime do të shërbejnë për votimin e rregullt, ndërsa 38 qendra me 52 vendvotime do të jenë të dedikuara për votimin me kusht.
Ndërkohë, votimi jashtë Kosovës do të organizohet në 30 përfaqësi diplomatike, përkatësisht në 17 ambasada dhe 13 konsullata, ku do të funksionojnë gjithsej 47 vendvotime. Votimi fizik në përfaqësitë diplomatike do të mbahet më 6 qershor 2026, një ditë para procesit zgjedhor në Kosovë./teve1.info/

