Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht nga votimi përmes postës që deri më tani janë sjellë në Kosovë.
Sipas Elezit, gjatë 8 qershorit është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime që i takojnë votimit përmes postës. Tërheqja është bërë nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme, si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë.
Ai tha se nga 23 kuti postare janë tërhequr më shumë se 85,700 pako të supozuara me fletëvotime, një pjesë e të cilave tashmë janë sjellë në Kosovë.
“Qëllimi është që të vërtetohet nëse këto pako janë dërguar nga votuesit e regjistruar për votim përmes postës. Pakot që aprovohen do të përfshihen në procesin e numërimit, pas disa ditësh”, tha Elezi.
Sipas të dhënave preliminare të paraqitura nga KQZ, numri i pakove të tërhequra sipas kutive postare është: Berlin 41,561; Bern 23,356; Stokholm 4,633; Paris 3,470; Vjenë 2,570; Prishtinë 2,005; Londër 1,383; Bruksel 1,195; Romë 1,076; New York 986; Ljubljana 891; Oslo 654; Otavë 538; Kopenhagë 348; Hagë 238; Zagreb 210; Stamboll 179; Podgoricë 128; Kanbera 113; Budapest 73; Shkup 63; Pragë 46; dhe Tiranë 9.
Elezi njoftoi gjithashtu se deri të martën në orën 16:00 është përmbyllur numërimi i votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike në nëntë Qendra Komunale të Numërimit.
Qendrat që kanë përfunduar këto aktivitete janë Juniku, Shtërpca, Hani i Elezit, Parteshi, Mamusha, Zubin Potoku, Zveçani, Kllokoti dhe Novobërda.
Procesi i numërimit dhe verifikimit po vazhdon në 29 Qendra Komunale të Numërimit, ndërsa sipas të dhënave të KQZ-së janë procesuar 902 nga 2,498 vendvotime, apo mbi 36 për qind.
Sipas Elezit, qendrat komunale që kanë përmbyllur procesin e numërimit dhe verifikimit do ta dorëzojnë materialin zgjedhor në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Ai bëri të ditur se së shpejti do të fillojë edhe skanimi i listës së votuesve nga vendvotimet e rregullta të disa komunave që kanë përfunduar punën në QKN. Sipas KQZ-së, ky proces është i domosdoshëm para fillimit të numërimit të votave me kusht, për të siguruar që askush të mos ketë votuar dy herë, në vendvotim të rregullt dhe në vendvotim me kusht.
