Rogert Sterkaj ka rikthyer në vëmendje marrëveshjen që pretendon se kishte bërë me Selin Bollatin, këtë herë duke kërkuar asistencë ligjore për shumën prej 10 mijë eurosh.
Ish-banori i “Big Brother VIP Albania” është shfaqur në një video së bashku me avokaten Aurora Marku, ku ka treguar se arsyeja e vizitës lidhet pikërisht me paratë e çmimit të fituar nga Selin dhe dakordësinë që, sipas tij, kishin arritur më herët.
“Ja ku jemi këtu te avokatja më e fortë, Aurora Marku. Thoni ju pse jam këtu? Jam këtu se kisha marrë vesh që ajo Selin Bollati kishte marrë lekët e çmimit. Po sikur atë paktin tonë që kishim rënë dakord, 10 mijë euroshin tim, do ishte mirë me e pru. Jam këtu te avokatja, po shohim anët ligjore”, shprehet Rogerti në videon e publikuar në Instagram.
Nga ana e saj, avokatja ka sqaruar se çështja lidhet me një marrëveshje verbale mes palëve dhe se hapi i parë do të jetë përpjekja për të kontaktuar Selin Bollatin.
Sipas shpjegimit të saj, nëse nuk arrihet një zgjidhje përmes komunikimit mes palëve, më pas do të shqyrtohet mundësia e ndjekjes së çështjes në rrugë gjyqësore.
Rogerti pretendon se nuk ka arritur të komunikojë me Selin për këtë çështje dhe për këtë arsye ka vendosur të konsultohet me një avokate për të kuptuar nëse marrëveshja e pretenduar mund të kërkohet ligjërisht.
Çështja vjen pak pasi Selin konfirmoi publikisht se e kishte marrë çmimin e fituar në “Big Brother VIP Albania 5”.
