Moderatori Ledion Liço ka dhënë sinjalin e parë publik për rikthimin e “Big Brother VIP Albania” me edicionin e gjashtë, përmes një postimi në Instagram.
Pak minuta më parë, Liço ka publikuar një fotografi të realizuar në një ambient elegant, ku shfaqet i ulur në një divan, ndërsa përpara tij ndodhet një televizor me logon e “Big Brother VIP Albania”.
“Thonë që ju ka marrë malli…”, ka shkruar moderatori krahas imazhit, duke lënë të kuptohet se përgatitjet për sezonin e ri janë në zhvillim.

Postimi ka marrë menjëherë reagime nga ndjekësit dhe personazhe të njohur të spektaklit, mes tyre edhe ish-banorja Sara Gjordeni, e cila ka komentuar me humor: “Mu duk si zarf i zi. Jam akoma me pasoja…”.
Prej disa javësh, në rrjetet sociale kanë nisur të qarkullojnë emrat e parë të personazheve që mund të bëhen pjesë e edicionit të gjashtë, megjithëse produksioni ende nuk ka konfirmuar zyrtarisht listën e banorëve.
Për momentin, Ledion Liço nuk ka zbuluar datën e nisjes së spektaklit apo detaje të tjera për sezonin e ri.
