Lajme

Krasniqi kritikon procesin në Hagë: Gjashtë vite zvarritje dhe shkelje të të drejtave të njeriut, shpresat te vendimi i Ap

Dardan Krasniqi, familjar i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka ngritur akuza ndaj Gjykatës Speciale në Hagë për shkelje të të drejtave të njeriut dhe politizim të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në gjashtëvjetorin e arrestimit të tyre.

Në një intervistë në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Krasniqi e ka cilësuar këtë përvjetor si një ditë të rëndë për familjen, duke thënë se procesi gjyqësor është karakterizuar nga zvarritje dhe sipas tij, mosrespektim i standardeve dhe procedurave ligjore.

Ai pretendoi se shkeljet gjatë procesit, përfshirë ato që lidhen me paraburgimin dhe trajtimin e të akuzuarve, janë ngritur vazhdimisht nga ekipet mbrojtëse dhe monitoruesit ndërkombëtarë.

“Fatkeqësisht, kjo është bërë një ditë e një kujtese të keqe dhe po zgjatet vazhdimisht, ky është viti i gjashtë për familjen. Trajtimi në aspektin njerëzor të drejtave të njeriut dhe trajtimi rreth procesit, stërgjatja dhe mospërmbushja e standardeve dhe shkelja e gjitha procedurave qoftë prej paraburgimit dhe të gjitha çështjet e tjera teknike që lidhen me procesin kanë qenë shkelje të vazhdueshme të cilat janë thënë jo vetëm në takimin që e kemi pasur me Krasniqin dhe të tjerët, por janë potencuar vazhdimisht edhe nga ekipet mbrojtëse po ashtu edhe nga ekipet ndërkombëtare monitoruese sa do të zbehta në këtë proces dhe vazhdimisht janë sjell për vëmendje në opinionin publik të Kosovës, shkeljet që po ndodhin atje dhe mungesa e një procesi thellë dhe të drejtë në raport me gjykimin e tyre”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi u shpreh gjithashtu se vendimi i shpallur më 16 shtator, sipas tij, ka reflektuar ndikim politik në drejtësi.

Ai tha se nuk pret një rezultat të ndryshëm nëse procesi vazhdon me të njëjtën qasje, ndërsa shprehu pritjen që Gjykata e Apelit të bëjë një rivlerësim të drejtë të çështjes.

“Aktgjykimi që ndodhi me 16 shtator, u pa që kemi të bëjmë fatkeqësisht me një dozë të madhe politike dhe futje të politikës në drejtësi e cila më së paku do i duhej Kosovës. Për këto gjashtë vite nuk pres një rezultat të mirë ose të ndryshëm nëse vazhdon rruga e njëjtë. Ne e kemi parë me këtë qasje që ka ndodhur që gjashtë vite me këtë shtet dhe me këtë shoqëri dhe rezultati ishte katastrofal, nuk pati vullnet nga trupi gjykues që të merr për bazë asnjë dëshmi që u prezantuan aty, presim nga Gjykata e Apelit të ketë një verdikt të drejtë, pres një riverifikim”, tha ai tutje./teve1.info/

Të Ngjashme