Lajme

Krasniqi pret homologun turk, nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit mes dy vendeve

Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi ka pritur sot Presidentin e Këshillit të Lartë të Radio-Televizionit Turk, RTUK,  Ebubekir Sahin. Gjatë takimit të organizuar në ambjentet e AMA-s, Kryetarja Krasniqi ka shprehur vlerësimin për mundësitë e reja të bashkëpunimit që hapen sot mes dy rregullatorëve, atij shqiptar dhe turk.

“Ekspertiza jonë e përbashkët sot dhe nesër do të pasurojë shumë shkëmbimin e ideve dhe perspektivave midis autoriteteve tona rregullatore”, ka thënë ajo. “Kjo është e rëndësishme, sepse mendoj se vetëm kështu, ne mund të jemi të suksesshëm në punën tonë: duke ndarë idetë dhe planet tona për të përballuar sfidat e kohës, me të cilat po përballen aktualisht autoritetet që ne drejtojmë”.

Gjatë takimit, kryetarja Krasniqi ka bërë një prezantim të shkurtër mbi punën eAMA-s dhe objektivat e arritura deri tani, siç janë miratimi i ndryshimeve në ligjin për mediat audiovizive në maj 2023 – Ligji për Mediat Audiovizive në Shqipëri u harmonizua plotësisht me Direktivën e BE-së 2018/1808, ose siç njihet ndryshe, Direktiva e ndryshuar për Shërbimet Mediatike Audiovizive, si dhe ndryshimet e propozuara, që aktualisht janë hedhur për konsultim publik dhe që janë të bazuara në 3 shtylla kryesore: përfshirjen e konceptit të matjes së audiencës; luftën kundër piraterisë së të drejtave të transmetimit; modifikimin e koncepteve të licencimit për transmetuesit rajonalë dhe lokalë që operojnë në nivel kombëtar.

Armela Krasniqi me homologun turk, Ebubekir Sahin
Armela Krasniqi me homologun turk, Ebubekir Sahin

Gjithashtu presidenti i RTUK, z. Sahin, pasi ka falenderuar për mikpritjen, ka theksuar sfidat kryesore ku është e përqendruar puna e rregullatorit turk, si dhe ka shprehur gatishmërinë për një bashkëpunim të gjatë dhe të vlefshëm për të dyja palët.

“Ne jemi shumë të fokusuar tek lufta kundër keqinformimit të publikut”, ka thënë ai. “Keqinformimi, në raste të caktuara, mund të cënojë edhe sigurinë kombëtare. Mund t’ju përmend kohën e Pandemisë psh. Pikërisht këtu nis edhe detyra, edhe përgjegjësia jonë.  Në funksion të kësaj lufte, po punojmë që publiku turk të informohet nga kanale të sigurta informacioni”. Gjithashtu, Presidenti i rregullatorit turk, RTUK, ka shpjeguar se rëndësi e veçantë i kushtohet mbrojtjes së fëmijëve nga përmbajtjet e dëmshme audiovizive.

“Fëmijët dhe familja tek ne janë një institucion i shenjtë”, ka thënë ai duke shtuar se herë pas here  Këshilli i Lartë i Radio-Televizionit Turk, kryen anketime gjithëpërfshirëse për të mbledhur dhe analizuar opinionin publik turk, cfarë ata presin nga mediat audio dhe audiovizive, cfarë duan që të pasqyrohet në to. “Gjatë 5 viteve kemi organizuar 17 anketime”, ka thënë ai.

Armela Krasniqi me homologun turk, Ebubekir Sahin
Armela Krasniqi me homologun turk, Ebubekir Sahin

Drejtues të njesive të AMA-s kanë shpjeguar për delegacionin turk, mënyrën e organizimit të punës së përditshme, procesin e monitorimit, funksionin e Këshillit të Ankesave etj.

Më pas dy krerët e autoriteteve rregullatore kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi i cili bazohet në katër shtylla të rëndësishme:

– edukimin mediatik

– matja e audiencës

– hulumtimi i opinionit publik

– metodologjia e monitorimit

Memorandumi i hap rrugën kështu një bashkëpunimi të gjatë mes dy institucioneve, qoftë në përmirësimin e mëtejshëm të punës, në shkëmbimin e eksperiencave mes tyre apo edhe trajnimet e stafeve respektive.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo