Qeveria Shqiptare ka miratuar këtë mërkurë rregullat dhe kriteret e reja për bizneset që duan të marrin statusin e Investitorit Strategjikë. Bëhet fjalë për apo subjekte që duan të investojnë në ndërtimin e strukturave të reja akomoduese me 4 dhe 5 yje, me status special.
Çdo aplikues të investojë në ndërtimin e një strukture akomoduese me 4 ose 5 yje, e cila ndodhet në zonat me përparësi për zhvillimin e turizmit, të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi, shkruan newsbomb.al.
Përsa i përket vlerës së investimit, ajo duhet të jetë jo më e vogël se 8.000.000 (tetë) milionë euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 4 yje dhe jo më e vogël se 15.000.000 (pesëmbëdhjetë milionë) euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 5 yje.
Këto struktura të reja, duhet të menaxhohen nga një operator, i regjistruar si markë tregtare ose i njohur ndërkombëtarisht “brand name” me 4 dhe/ose 5 yje, nga autoritetet kompetente të vendeve ku ato ndodhen, i lidhur me aplikuesin me një marrëveshje të vlefshme gjatë kohëzgjatjes së statusit.
Subjektet që aplikojnë për statusin special, nuk duhet subjekt i procedurave për deklarimin e falimentimit dhe të mos ketë një urdhër likuidimi të detyruar ose administrimi nga gjykata apo ndonjë procedurë tjetër të ngjashme, shkruan newsbomb.al.
Me paraqitjen e aplikimit, subjekti paguan tarifën e aplikimit, si më poshtë vijon:
- – 200.000 (dyqind mijë) lekë për marrjen e statusit investitor në strukturë akomoduese me 4 yje, status special;
- – 300.000 (treqind mijë) lekë për marrjen e statusit investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special.
Kur aplikimi të jetë kryer me sukses, do të jetë Komisioni i përbërë nga 7 (shtatë) anëtarë, përfaqësues të strukturave përkatëse në ministrinë përgjegjëse për turizmin ose në institucione në varësi të saj dhe do asistohet nga sekretariati teknik. Nuk mund të marrin pjesë në këtë komision personat që kanë konflikt interesi me aplikuesit.
Anëtarët e komisionit kanë detyrimin të ruajnë konfidencialitetin e përmbajtjes së aplikimeve dhe mbledhjet e komisionit zhvillohen sa herë që ka të paktën një aplikim, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga dita e paraqitjes së këtij aplikimi, shkruan newsbomb.al.
Komisioni merr vendime me shumicë të thjeshtë (50+1) dhe në mbledhjet e tij marrin pjesë të paktën 5 (pesë) anëtarë. Në rast të ndarjes në mënyrë të barabartë të votave, vota e kryetarit të komisionit merr vlerë përcaktuese. Votimet bëhen të hapura dhe abstenimi nuk lejohet.
Çdo investitor, shqiptar ose i huaj, që kërkon të aplikojë për marrjen e statusit “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” ka të drejtë që të aplikojë për të përfituar njërin nga këta dy statuse. Dokumentacioni depozitohet nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania”.
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË PROCEDURAVE DHE TË DOKUMENTACIONIT PËR SUBJEKTET QË APLIKOJNË PËR STATUSIN “INVESTITOR NË STRUKTURË AKOMODUESE ME 4 OSE 5 YJE, STATUS SPECIAL”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 33/2, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
- Objekti i këtij vendimi është përcaktimi i kritereve, i procedurave dhe i dokumentacionit që duhet të plotësojnë subjektet që duan të aplikojnë për statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”, strukturës që do të merret me shqyrtimin e aplikimeve, si dhe i procedurës që do të ndiqet.
- Për qëllime të këtij vendimi, me termat e mëposhtëm nënkuptohet:
- a) “Autoriteti”, ministria përgjegjëse për turizmin;
- b) “Aplikues”, çdo investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, që aplikon pranë autoritetit për marrjen e statusit “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”;
- c) “Komisioni i përhershëm i vlerësimit të aplikimeve” (këtu e në vijim “Komisioni”), komisioni që ngrihet me urdhër të ministrit përgjegjës për turizmin, i cili shqyrton aplikimet dhe paraqet pranë ministrit vlerësimin në lidhje me dhënien ose jo të statusit special;
ç) “Sekretariati teknik i komisionit”, struktura administrative që asiston komisionin gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij. Rolin e sekretariatit teknik e luan struktura përgjegjëse për përgatitjen dhe fizibilitetin e projekteve në fushën e turizmit pranë autoritetit;
- d) “Sigurimi i marrëveshjes së zhvillimit”, një sigurim në formën e një garancie bankare apo garancie financiare, të lëshuar nga një bankë ose një shoqëri sigurimi vendase apo e huaj, e licencuar nga autoritetet shtetërore për të ushtruar këtë veprimtari;
- dh) “Subjekt për qëllime të veçanta (SPV)”, ka të njëjtin kuptim si ai i përcaktuar në nenin 207 e në vijim, të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”;
- e) Termat e tjerë të përdorur në këtë vendim kanë kuptimin që u është dhënë në ligjin nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar.
- KRITERET QË DUHET TË PLOTËSOJË APLIKUESI PËR MARRJEN E STATUSIT TË VEÇANTË “INVESTITOR NË STRUKTURË AKOMODUESE ME 4 OSE 5 YJE, STATUS SPECIAL”
- Çdo aplikues, bazuar në parashikimet e neneve 6 dhe 33/1, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme për kualifikim:
- a) Të investojë në ndërtimin e një strukture akomoduese me 4 ose 5 yje, e cila:
- ndodhet në zonat me përparësi për zhvillimin e turizmit, të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi;
- ka vlerën e investimit, jo më të vogël se 8 000 000 (tetë) milionë euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 4 yje dhe jo më të vogël se 15 000 000 (pesëmbëdhjetë milionë) euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 5 yje;
iii. menaxhohet nga një operator menaxhues, i regjistruar si markë tregtare ose i njohur ndërkombëtarisht “brand name” me 4 dhe/ose 5 yje, nga autoritetet kompetente të vendeve ku ato ndodhen, i lidhur me aplikuesin me një marrëveshje të vlefshme gjatë kohëzgjatjes së statusit.
- b) Të mos jetë subjekt i procedurave për deklarimin e falimentimit dhe të mos ketë një urdhër likuidimi të detyruar ose administrimi nga gjykata apo ndonjë procedurë tjetër të ngjashme;
- c) Të mos jetë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për veprat penale të parashikuara në nenin 6, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar;
ç) Të ketë përmbushur detyrimet për pagimin e taksave dhe tatimeve, në përputhje me legjislacionin shqiptar ose me dispozitat e zbatueshme në shtetin e origjinës.
- Në rast se aplikuesi është një SPV ose “Bashkim operatorësh ose konsorciumi”, kriteret e kualifikimit plotësohen nga kompania mëmë/ secili entitet, sipas marrëveshjes së posaçme të lidhur.
III. PROCEDURAT QË NDIQEN PËR DHËNIEN E STATUSIT “INVESTITOR NË STRUKTURË AKOMODUESE ME 4 OSE 5 YJE, STATUS SPECIAL”
- Çdo aplikues, që aplikon për marrjen e statusit të veçantë “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”, ndjek procedurat dhe plotëson dokumentet dhe kriteret që përcaktohen në këtë vendim.
- Me paraqitjen e aplikimit, aplikuesi paguan tarifën e aplikimit, si më poshtë vijon:
- a) 200 000 (dyqind mijë) lekë për marrjen e statusit investitor në strukturë akomoduese me 4 yje, status special;
- b) 300 000 (treqind mijë) lekë për marrjen e statusit investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special.
Tarifa e aplikimit paguhet në llogarinë bankare të autoritetit, siç përcaktohet në dokumentet për paraqitjen e aplikimit. Tarifa e aplikimit që është paguar nuk kthehet.
- Autoriteti është përgjegjës për pritjen, shqyrtimin dhe vlerësimin e aplikimit, ndjekjen e të gjitha procedurave të përcaktuara në këtë vendim, deri në lidhjen e marrëveshjes së zhvillimit ndërmjet autoritetit dhe aplikuesit të suksesshëm, nëpërmjet komisionit të përhershëm të vlerësimit të aplikimeve (komisioni).
- Komisioni përbëhet nga 7 (shtatë) anëtarë, përfaqësues të strukturave përkatëse në ministrinë përgjegjëse për turizmin ose në institucione në varësi të saj dhe asistohet nga sekretariati teknik. Nuk mund të marrin pjesë në këtë komision personat që kanë konflikt interesi me aplikuesit, sipas kuptimit të ligjit nr.9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, të ndryshuar. Përbërja nominale e komisionit dhe sekretariatit teknik, si dhe mënyra e organizimit dhe e funksionimit të tyre përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për turizmin.
- Anëtarët e komisionit kanë detyrimin të ruajnë konfidencialitetin e përmbajtjes së aplikimeve.
- Mbledhjet e komisionit zhvillohen sa herë që ka të paktën një aplikim, dhe komisioni mblidhet brenda 10 (dhjetë) ditëve nga dita e paraqitjes së këtij aplikimi.
- Komisioni merr vendime me shumicë të thjeshtë (50+1) dhe në mbledhjet e tij marrin pjesë të paktën 5 (pesë) anëtarë. Në rast të ndarjes në mënyrë të barabartë të votave, vota e kryetarit të komisionit merr vlerë përcaktuese. Votimet bëhen të hapura dhe abstenimi nuk lejohet.
- APLIKUESIT, ELEMENTET PËRBËRËSE DHE DOKUMENTACIONI PËR APLIKIMIN
- Çdo investitor, shqiptar ose i huaj, që kërkon të aplikojë për marrjen e statusit “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” ka të drejtë që të aplikojë për të përfituar njërin nga këta dy statuse.
- Aplikimi përbëhet nga tërësia e dokumenteve të përcaktuara në këtë vendim, nëpërmjet të cilave vërtetohet plotësimi i kritereve të përcaktuara në këtë vendim.
- Dokumentacioni i aplikimit depozitohet nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania”. Dokumentet që disponohen në gjuhë të huaj duhet të paraqiten të shoqëruara me përkthimin në gjuhën shqipe të noterizuar.
- Dokumentacioni i paraqitur duhet të jetë origjinal ose kopje e noterizuar e tij dhe çdo dokument duhet të përmbajë nënshkrimin e personit/personave të autorizuar që paraqesin aplikimin.
- Formularët për aplikim, sipas shtojcës nr.1, gjenerohen nga portali unik qeveritar “e-Albania” dhe përcaktojnë të dhënat bazë që kërkohen në lidhje me aplikimin dhe kërkesat e kritereve për kualifikim, sipas formularëve, si më poshtë vijon:
- a) Formulari i aplikimit;
- b) Formulari i ankesës;
- c) Formulari i sigurimit të marrëveshjes;
ç) Formulari i kryerjes së pagesë së tarifës.
Formati tip i formularëve është sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
- Aplikuesi dorëzon dokumentacionin e mëposhtëm:
- a) Projektin teknik në lidhje me strukturën akomoduese, që duhet të përmbajë:
- projektin arkitekturor, të shoqëruar me preventivin e kostove respektive, së bashku me grafikun, fazat dhe afatet e realizimit të investimit;
- të dhëna për standardin turistik që do të zbatohet;
iii. planin operacional për funksionimin dhe mirëmbajtjen e strukturës akomoduese;
- të dhëna në lidhje me vendndodhjen, pronën ku zhvillohet projekti i investimit, si dhe dokumentin që përcakton marrëdhënien juridike të aplikantit me atë pronë, si certifikatë pronësie apo kontratë shitblerjeje, dhurimi, shkëmbimi, qiraje, enfiteoze, huapërdorjeje apo të tjera si këto, të cilat vërtetojnë të drejtën e përdorimit të pronës për qëllim zhvillimi.
- b) Vetëdeklarim pë mjetet e financimit të projektit;
- c) Vetëdeklarim se nuk është objekt i ndonjë procedure falimentimi dhe/ose likuidimi apo ndonjë procedure tjetër të ngjashme, e cila mund të cenojë ndërtimin dhe/ose operimin e strukturës akomoduese;
ç) Vetëdeklarim që nuk është dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për subjektet dhe veprat penale, të parashikuara në pikën 2, të nenit 6, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar;
- d) Vërtetimin e pagesës së tarifës së aplikimit;
- dh) Deklaratën e aplikuesit, me anë të së cilës merr përsipër dhe garanton vërtetësinë e të dhënave dhe të dokumenteve të paraqitura në aplikim, nuk ka pengesë ligjore për të ushtruar veprimtarinë, si dhe njeh e pranon kriteret dhe detyrimet lidhur me aplikimin për statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”;
- e) Autorizim me shkrim nga ana e aplikuesit, me të cilin komisioni, autoriteti apo çdo person ose entitet i caktuar prej tyre autorizohen për të kryer të gjitha verifikimet e nevojshme të të dhënave të paraqitura në materialet e aplikimit;
ë) Prokurën/autorizimin, në formën e përcaktuar nga legjislacioni në fuqi, që tregon se personi/personat që ka/kanë nënshkruar aplikimin kanë të drejtën e nënshkrimit të saj, në rast se aplikimi nuk paraqitet nga vetë aplikuesi. Prokura/autorizimi duhet të jetë e/i vlefshme/ëm gjatë gjithë kohës së vlefshmërisë së aplikimit, nga momenti i aplikimit pranë autoritetit deri në momentin e hartimit dhe të nënshkrimit të marrëveshjes së zhvillimit.
- Autoriteti është përgjegjës për sigurimin e dokumentacionit të mëposhtëm:
- a) Vlerësimin e ndikimit mjedisor të projektit;
- b) Vërtetimet se aplikuesi nuk është dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për vepra penale, sipas parashikimeve të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar;
- c) Vërtetimet se aplikuesi ka përmbushur detyrimet në lidhje me pagesat e taksave dhe të tatimeve.
- Përjashtimisht, kur aplikuesi është shtetas i huaj nuk kërkohet vetëdeklarimi, por vërtetimi se nuk është i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për vepra penale, sipas parashikimeve të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar.
- PROCEDURA E DORËZIMIT DHE E SHQYRTIMIT TË APLIKIMIT
- Aplikimi së bashku me dokumentacionin e kërkuar dorëzohet nga aplikuesit nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania”.
- Shqyrtimi i aplikimit bëhet nga komisioni, bazuar në kriteret e kualifikimit të përcaktuara në këtë vendim dhe në dokumentacionin, pjesë përbërëse e këtij vendimi. Sekretariati teknik, brenda 7 (shtatë) ditëve nga përfundimi i afatit për paraqitjen e aplikimit kryen veprimet e mëposhtme:
- a) Kur aplikimi dhe dokumentacioni shoqërues përmban të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, sipas parashikimeve të këtij vendimi, njofton aplikuesit për vazhdimin e procedurës së verifikimit të kritereve ligjore;
- b) Kur aplikimi dhe dokumentacioni shoqërues nuk përmban të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, sipas parashikimeve të këtij vendimi, njofton aplikuesit për plotësimin e të metave, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga marrja e njoftimit.
- Brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga njoftimi për vazhdimin e procedurës së verifikimit ose përfundimit të afatit për plotësimin e të metave, komisioni shqyrton aplikimin nëse aplikuesit plotësojnë kriteret e kualifikimit.
- Në rast se gjatë shqyrtimit konstatohet mungesë informacioni, komisioni i kërkon aplikuesit duke dhënë arsyetimet përkatëse, plotësimin e tij nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania”, brenda 30 (tridhjetë) ditëve.
- Në përfundim të verifikimit, komisioni harton raportin përmbledhës dhe vendimin përkatës për secilin aplikues dhe ia dërgon atë ministrit përgjegjës për turizmin.
Raporti përmbledhës përmban:
- a) përshkrimin e procedurës së ndjekur;
- b) informacionin për ecurinë e shqyrtimit të aplikimit;
- c) dokumentacionin përkatës;
ç) rekomandimin për ministrin përgjegjës për turizmin për pranimin ose refuzimin e aplikimit për dhënien e statusit;
- d) arsyetimin për çdo rekomandim;
- dh) çdo informacion tjetër që gjykon të arsyeshëm në lidhje me procedurat e ndjekura në këtë shqyrtim.
- PROPOZIMI PËR DHËNIEN E STATUSIT “INVESTITOR NË STRUKTURË AKOMODUESE 4 OSE 5 YJE, STATUS SPECIAL”
- Ministri përgjegjës për turizmin shqyrton raportin përmbledhës të komisionit dhe, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve miraton:
- a) nisjen e procedurave për t’i propozuar Këshillit të Ministrave dhënien e statusit të veçantë “Investitor në strukturë akomoduese 4 ose 5 yje, status special” aplikuesit;
- b) refuzimin e aplikimit.
- Formulari i refuzimit të aplikimit i njoftohet aplikuesit brenda 5 (pesë) ditëve për arsyet e kësaj vendimmarrjeje.
- Kundër vendimit të refuzimit të aplikimit të komisionit mund të bëhet ankim te ministri përgjegjës për turizmin. Paraqitja dhe shqyrtimi i ankimeve bëhet sipas rregullave dhe afateve të parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative.
VII. MARRËVESHJA E ZHVILLIMIT ME INVESTITORIN
- Pas hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave për dhënien e statusit, aplikuesi njoftohet nga autoriteti kontraktues, që brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e njoftimit të nënshkruajë marrëveshjen e zhvillimit me autoritetin (në vijim “Marrëveshja”).
- Marrëveshja që do të nënshkruhet duhet detyrimisht të përmbajë, si më poshtë vijon:
- a) Objektin e marrëveshjes dhe statusin e akorduar investitorit;
- b) Vlerën e projektit;
- c) Kohëzgjatjen e marrëveshjes dhe afatet e realizimit të projektit;
ç) Asistencën që mund të japë autoriteti për marrjen e licencave dhe të lejeve të nevojshme;
- d) Detyrimet e ndërsjella të palëve;
- dh) Ndalimet e tjetërsimit të destinacionit gjatë periudhës së mbajtjes së statusit;
- e) Të drejtën e autoritetit ose të çdo autoriteti tjetër publik të ngarkuar nga legjislacioni në fuqi për të monitoruar ndërtimin e strukturës akomoduese me 4 ose 5 yje, status special dhe operimin e saj;
ë) Të drejtën për shtyrjen e afatit apo zgjidhjen e marrëveshjes;
- f) Pasojat nga mosrespektimi i detyrimeve të ndërsjella, përfshirë heqjen e avantazheve, si pasojë e shfuqizimit të statusit;
- g) Ligjin e zbatueshëm, mekanizmat për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe gjykatën kompetente.
- Modeli i marrëveshjes tip, që autoriteti nënshkruan me investitorin, gjendet bashkëlidhur në shtojcën 2 të këtij vendimi.
- Në rast se investitori nuk nënshkruan marrëveshjen me autoritetin, brenda afatit 30-ditor nga data e njoftimit sipas pikës 1, të këtij kreu, investitori humbet statusin.
- Përpara nënshkrimit të marrëveshjes, investitori bën sigurimin e marrëveshjes, në përputhje me përcaktimet e bëra në marrëveshjen tip, si garanci për institucionet shtetërore në rastet e shkeljes së marrëveshjes nga ana e tij. Sigurimi i marrëveshjes përfundon pas përfundimit të kohëzgjatjes së rregullt të marrëveshjes.
- Sigurimi i marrëveshjes bëhet, si më poshtë vijon:
- a) Për hotelet me 4 yje për vlerën 240 mijë euro (3% e vlerës dysheme për hotelet me 4 yje prej 8 milionë eurosh);
- b) Për hotelet me 5 yje për vlerën 450 mijë euro (3% e vlerës dysheme për hotelet me 5 yje prej 15 milionë eurosh).
- Pas nënshkrimit të marrëveshjes, në Buletinin e Njoftimeve Publike publikohet njoftimi për lidhjen e saj. Ky njoftim përmban:
- a) emrin, adresën e investitorit dhe statusin special që i është dhënë atij;
- b) kohëzgjatjen e marrëveshjes;
- c) vlerën e projektit dhe afatin e realizimit të tij.
- Marrëveshja është e vlefshme për një periudhë kohore dhjetëvjeçare, duke filluar nga data e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, e cila fillon jo më vonë se 3 (tre) vjet nga data e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.
- Marrëveshja zgjidhet menjëherë, në rastet kur autoriteti dhe/ose institucionet e ngarkuara nga ai për monitorimin e marrëveshjes konstatojnë se:
- a) investitori falimenton ose ka kaluar në procedurë likuidimi;
- b) janë paraqitur të dhëna të rreme apo dokumente të falsifikuara në lidhje me kërkesat dhe dokumentacionin e nevojshëm për marrjen e statusit, të cilat provohen në çdo kohë;
- c) kushtet, për të cilat investitori e ka përfituar statusin, nuk qëndrojnë më dhe ai nuk ka marrë masat për t’u rikthyer në ato kushte apo kushte të ngjashme të pranueshme për autoritetin brenda 1 (një) viti nga njoftimi i këtij të fundit; si dhe
ç) investitori braktis ndërtimin e strukturës akomoduese me 4 ose 5 yje, status special, apo në rast se investitori braktis veprimtarinë turistike që zhvillon te kjo strukturë akomoduese, sipas përcaktimeve të bëra në marrëveshje.
VIII. SHFUQIZIMI I STATUSIT DHE EFEKTET E SHFUQIZIMIT
- Kur konstatohet një nga rastet e listuara në pikën 9, të kreut të VII, të këtij vendimi, ministri përgjegjës për turizmin, bazuar në raportin përmbledhës të komisionit, i propozon Këshillit të Ministrave shfuqizimin e statusit.
- Komisioni inicion hartimin e raportit përmbledhës për propozimin e shfuqizimit të statusit, pasi analizon/vlerëson dokumentacionin e paraqitur nga njësitë monitoruese respektive të ngritura nga autoriteti kontraktues.
- Përveç rastit kur marrëveshjes i përfundon afati normal i vlefshmërisë, shfuqizimi i statusit për arsyet e tjera të listuara në pikën 9, të kreut VII, të këtij vendimi, detyron investitorin që të kthejë të gjitha avantazhet e përftuara, sipas parashikimeve të nenit 12, të marrëveshjes, e cila është pjesë përbërëse e këtij vendimi.
- Përllogaritja kryhet nga organet kompetente tatimore, në formën që parashikon legjislacioni fiskal, dhe këto organe njoftojnë komisionin për detyrime që subjekti duhet të kthejë. Shuma e detyrimit është pjesë përbërëse e aktit të shfuqizimit. Për mbledhjen e këtyre detyrimeve organet tatimore kanë të gjitha të drejtat që legjislacioni në fuqi parashikon për mbledhjen e detyrimeve, përfshirë vendosjen e sekuestros ndaj pasurive të investitorit.
- DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
- Për kërkesat e paraqitura përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, për të cilat nuk ka përfunduar procesi i shqyrtimit, si dhe për subjektet që kanë marrë statusin special përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, por nuk kanë lidhur ende marrëveshjen, zbatohen dispozitat e këtij vendimi.
- Procedura e aplikimit on-line hyn në fuqi në momentin e ngritjes së regjistrit dhe deri hyrjen në fuqi të kësaj procedure, dokumentacioni për shkronjat “b” dhe “c”, të pikës 7, të kreut IV, të këtij vendimi, depozitohen nga aplikuesi. Dorëzimi i aplikimit, si dhe tërheqja e dokumentacionit të parashikuar në pikën 5, të kreut IV, bëhet pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin.
- Vendimi nr.257, datë 9.5.2018, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe të dokumentacionit për subjektet që aplikojnë për statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”, shfuqizohet.
- Ngarkohet ministria përgjegjëse për turizmin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo