ShowBizzz

Kritikat për Festivalin, moderatori: Nëse s’ju pëlqejnë këngët, bëni ju më të mira

Edicioni i 62-të i Festivalit të Këngës mori shumë kritika këtë vit, duke nisur nga organizimi, këngët pjesëmarrëse deri tek prezantuesit të cilët morën jo pak kritika në rrjete sociale nga njerëz të thjeshtë dhe jo vetëm.

Por moderatori, Edi Oga ka një tjetër qasje.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, Edi Oga del në mbrojtje të punës së madhe që bëhet për organizimin e një eventi si Festivali i Këngës.

Edi Oga ironizon të gjithë ata që kritikojnë pa menduar dy herë punën e madhe, përpjekjet dhe djersën që hidhet për të nxjerrë në transmetim Festivalin.

“Nëse nuk ju pëlqejnë këngët e festivalit, bëni ju një më të mirë”, shprehet Oga në Facebook.

Sipas Ogës arti është i vështirë, por më i vështirë është për tu pranuar se sa për tu bërë.

E vetmja gjë e lehtë në art, është të bësh kritikun, nga kolltuku, me një gisht mbi një ekran celulai, shkruan ndër të tjera Edi Oga në Facebook.

Mbrëmjen e djeshme u zhvillua nata finale, ku fitues u shpall artisti nga Kosova, Mal Retkoceri me këngën “Çmenduri”.

Ndërsa Besa Kokëdhima mori besimin e publikut për të përfaqësuar Shqipërinë në edicionin e 68-të të Eurovizionit me këngën “Zemrën n’dorë”.

Postimi i plotë nga Edi Oga

Festivali i Këngës në RTSH ose duhet pranuar ashtu siç serviret, ose duhet injoruar. Festivali nuk është një qen cirku të cilit mund t’i mësosh truke të reja në çdo shfaqje; është një fosil dinosauri i ekspozuar në një sallë të madhe. Maksimumi mund ta “luçidosh”, t’i ndryshosh ndriçimin apo t’i ngresh pak podiumin.

Nëse je kreativ, mund t’i lëvizësh pak bishtin dhe t’i ndryshosh këndin e përkuljes së kokës. Nëse nuk të pëlqejnë dinosaurët, më mirë mos hyr në atë sallë, sepse aty vështirë të kalojë ndonjë qen a majmun cirku.

Nëse nuk ju pëlqejnë këngët e festivalit, bëni ju një më të mirë. Nëse nuk ju pëlqejnë prezantimi, skenari, skenografia, regjia, orkestra, na vjen keq. Këta janë. Këta jemi.

Arti nuk është aspak i thjeshtë. Sidomos në këto kohë, kur secili ka akses të menjëhershëm në artin e gjithë Botës.

Festivali i Këngës ka qenë një “magji” në kohët kur e vetmja alternativë artistike ishte Festivali i një viti më parë. Kompozitorë ishin gjithsej një duzinë po aq edhe këngëtarë.

Sot, kur ti sheh e dëgjon në çdo moment në Youtube Elton John, Ed Sheeran, Pink, Dua Lipa… apo sheh në stadiume koncerte të Cold Play, Three Dors Doën, Rolling Stones… sigurisht që do pretendosh më tepër nga Festivali ynë.
Jemi të mbingopur.
Na kanë ndryshuar shijet.
Na ka ndryshuar ritmi.
Mbi të gjitha, i kemi dhënë të drejtë vetes të kritikojmë gjithkënd dhe gjithçka.
Kemi të drejtë, paguajmë taksa!

Jam dakord. Janë 1200 lekë të reja në vit për çdo familje, të cilat spektatori ka të drejtë të kërkojë t’i kthehen mbrapsht. Është një kile djathë. Një picë dhe një kola. Arti është i vështirë.

Madje më i vështirë për t’u pranuar sesa për t’u bërë. E vetmja gjë e lehtë në art, është të bësh kritikun. Nga kolltuku. Me një gisht mbi një ekran celulari. Unë nuk e ndjek (dot) Festivalin sepse nuk është në ritmin dhe shijet e mia, por e di fare mirë sasinë e përpjekjeve, të pasionit dhe djersës që hidhet atje për ta mbledhur dhe për ta sjellë përpara publikut. Për këtë, nuk kam se si të mos tregoj respekt.
Mbase duhet mbyllur fare seksioni i dinosaurve në muze, ky është një tjetër diskutim.
Ndërkohë, ‘sarile’ për të gjithë!

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo


NewsBomb