Lajme

Kroacia propozon rezolutë për raportin Kosovë-Serbi, Parlamenti Evropian pritet ta miratojë

Deputeti kroat në Parlamentin Evropian, Tonino Picula njoftoi këtë të hënë se PE pritet të miratojë këtë muaj një rezolutë të jashtëzakonshme për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

Kjo vjen pas sulmit terrorist nga ushtarët serb, të cilët sulmuan me armë në Manastirin e Banjkës në veri të Kosovës, ku më pas mbeti i vrarë efektivi i Policisë Afrim Bunjaku. Mësohet se kërkesën për këtë rezolutë e bëri vetë deputeti Picula, për gjendjen dhe sigurinë e dy vendeve fqinje pas sulmit të 24 shtatorit.

Picula deklaroi se për këtë rezolutë ka marrë shumicën e nevojshme për ta propozuar, teksa njofton se ajo do të diskutohet në seancën e dytë plenare këtë muaj.

Gjithashtu ai e ka dënuar agresionin e terroristëve të armatosur ndaj policit, teksa shton se të gjitha faktet për këtë sulm duhet të zbardhen dhe përgjegjësit të përballen me ligjin.

“Ne e dënojmë agresionin e fundit të terroristëve të armatosur ndaj oficerit të policisë së Kosovës. Të gjitha faktet për këtë sulm duhet të zbardhen dhe përgjegjësit të përballen me drejtësinë“, tha Picula.