Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë (KLSh), Arben Shehu, të enjten vizitoi Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës (ZKA), ku u prit nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të cilën e uroi për marrjen e mandatit të ri.
Gjatë takimit, Spanca dhe Shehu vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet dy institucioneve dhe shprehën gatishmërinë për vazhdimin dhe forcimin e mëtejshëm të tij, në funksion të avancimit të auditimit publik, shkëmbimit të përvojave profesionale dhe promovimit të standardeve të larta të transparencës, llogaridhënies dhe qeverisjes së mirë.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, vlerësoi vizitën dhe urimet e Kryetarit të KLSh-së, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet dy institucioneve.
Kryetari i KLSh-së, Arben Shehu, rikonfirmoi gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me ZKA-në dhe për të mbështetur iniciativa të përbashkëta që kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të auditimit publik.
Po ashtu, gjatë takimit u diskutua për mundësitë e ndërmarrjes së iniciativave të përbashkëta, të cilat do të kontribuonin në përmbushjen e misionit të dy institucioneve, si dhe në rritjen e cilësisë dhe ndikimit të auditimit publik.
