Lajme

Kryqëzimi për shallin e kuq, Sokol Sadushi sulmohet pse nderoi të atin partizan

Kryegjyqtari Sokol Sadushi është vënë ditët e fundit në qendër të një sulmi politik dhe mediatik, për shkak se ka marrë pjesë në ceremoninë e 80 vjetorit të Brigadës së V Sulmuese, e cila u kujtua në Vlorë më 20 Janar. Ai ka vendosur kurora me lule pranë lapidarit përkujtimor, ndërsa në qafë kishte dhe shallin e kuq partizan, shkruan newsbomb.al.

Ish-kryebashkiaku socialist i Vlorës, i ka dalë në krah Sokol Sadushit pas kryqëzimit nga mediat opozitare dhe disa reagimeve në rrjetet sociale. Ai thotë se kryetari i Gjykatës së Lartë nuk mund të sulmohet se mori pjesë në një aktivitet ku u nderua mes të tjerash dhe kontributi i babait të tij.

Shpëtim Gjika i konsideron reagimet veprime të çoroditura të mendjeve të mykura që siç thekson, vazhdojnë “betejat” me shallin partizan dhe lapidarët e heronjve dhe dëshmorëve.

“Të konsiderosh aktivitet politik kremtimin e Luftës Nacional-Çlirimtare dhe përvjetorin e Brigadës së 5-të si veprimtari partiake, apo të kundërshtosh këdo, kushdo qoftë ai, që i bën homazh kontributit heroik të babait të tij, nuk është as më pak e as më shumë se sa një veprim i çoroditur i mëndjeve të mykura, të cilat, për fat të keq, vazhdojnë “ betejat” me shallin partizan dhe lapidarët e heronjve dhe dëshmorëve! Nuk ngjit fare, po fare fare, Flamuri blu kundër shallit të kuq”, shkruan ish-kryebashkiaku.

Kryegjyqtari i Shqipërisë, Sokol Sadushi është djali i Maliq Sadushit, një prej partizanëve të Brigadës së V Sulmuese. Babai dhe gjyshi i Maliq Sadushit janë angazhuar në Luftën e Vlorës dhe këtë rrugë e ka ndjekur dhe vetë babai i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.

Fotografia per te cilen sulmohet Sokol Sadushi
Fotografia per te cilen sulmohet Sokol Sadushi

Maliq Sadushi është rreshtuar partizan në çetën e fshatit Vajzë të Vlorës në moshën 16 vjeçare, më pas në batalionin “Ismail Qemali” dhe në Nëntor 1943 rreshtohet në Brigadën e 5-të Sulmuese, shkruan newsbomb.al. Ai ka mbajtur dhe poste të larta, si zv/ministër i Mbrojtjes, deputet i Kuvendit Popullor për Vlorën dhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor.

I gjithë sulmi ndaj Sokol Sadushit ka nisur pas ceremonisë për 80 vjetorin e Brigadës së V Sulmuese, e cila u kujtua ën Vlorë më 20 Janar. Me dhjetëra qytetarë, ish-veteranë lufte, por edhe familjarë të tyre, të rinj e të reja dhe pushtetarë vendorë të Vlorës, me shallin e kuq partizan në qafë, me banderola, lule kanë bërë homazhe pranë lapidarit që kujton këtë brigadë në 80 vjetorin e krijimit të saj.

Historia e Luftës Nacional Çlirimtare tregon se Brigada V Sulmuese u krijua në 20 janar 1944, afro 11 muaj para çlirimit të plotë të vendit nga gjermanët.

Kanë rënë në luftë 357 dëshmorë partizanë nga kjo brigadë dhe ka 13 heronj të popullit, 9 prej të cilëve të rënë në luftë. Shefqet Peçi, Hysni Kapo, Zonja Curre, Hito Çako, Abaz Shehu, Zaho Koka, Laze Nuro, Llambro Andoni, Nimete Progonati, Dervish Hekali, Kastriot Muço, Hysen Çino e Rrahman Parllaku kanë qenë pjesë e kësaj brigade.

Ka qenë brigada që ka marrë në ruajtje punimet e Kongresit të Përmetit dhe pas çlirimit të vendit ka luftuar në Kosovë, Jugosllavi e deri në Bosnje.

Krijimi i saj u bë në Tërbaç të Vlorës, ndërsa sipas historisë u rreshtuan 5 batalione partizane. Llogaritet që Brigada e V Sulmuese e filloi aktivitetin me 900 partizanë. Operacioni i Dimrit ‘43-’44 foli për heroizmin e mijëra vajzave dhe djemve të Vlorës në luftën për çlirim.

Megjithatë, pavarësisht asaj që shkruhet nëpër libra, ka ende debat për të vërtetën e luftës partizane dhe atë që ka bërë Brigada V Sulmuese, shkruan newsbomb.al.

Vlonjatët të kujtojnë 80 vjetorin e Brigadës V Sulmuese
Vlonjatët të kujtojnë 80 vjetorin e Brigadës V Sulmuese

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo