Lajme

Kuçi: Vendi po shkon në zgjedhje se PDK-LDK po dojnë me ndreq pozicionin e vet me bashkëpunu me Kurtin

Kandidatja për deputete nga Partia Socialdemokrate (PSD), Natyra Kuçi, ka deklaruar se Kosova po shkon në zgjedhje për shkak të kalkulimeve politike të partive opozitare, të cilat sipas saj po synojnë të përmirësojnë pozicionin e tyre për bashkëpunim të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti pas zgjedhjeve.

Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Kuçi ka kritikuar Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), duke thënë se ato nga njëra anë e cilësojnë Kurtin si të rrezikshëm dhe autoritar, ndërsa nga ana tjetër lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me të.

“Opozita po thotë se kemi shkuar në zgjedhje në mënyrë që Kurti të mos i ketë tri pushtetet, ndërkohë që Kurti thotë se opozita na ka çuar në zgjedhje për shkak se nuk deshi marrëveshje. PDK çdo ditë del në media dhe i heq vijat e kuqe me Kurtin, njëjtë vepron edhe LDK-ja. Pra, qytetarët duhet ta kuptojnë se ne po shkojmë në zgjedhje për të negociuar sërish me Kurtin. Nëse debati zhvillohet rreth asaj se Kurti është i rrezikshëm dhe autoritar, ndërsa njëkohësisht kërkohet rritja e përqindjes për të negociuar me të pas zgjedhjeve, atëherë duhet kuptuar se Kosova po shkon në zgjedhje sepse këto parti opozitare po synojnë të përmirësojnë pozicionin e tyre për bashkëpunim me Kurtin”, ka thënë ajo.

Sipas saj, PSD-ja synon të paraqitet si një opozitë e qartë dhe parimore, e cila nuk synon bashkëpunim me pushtetin që e konsideron autoritar, por që qëndron në opozitë dhe e kundërshton atë në mënyrë të qëndrueshme.

Kuçi theksoi gjithashtu se një opozitë që nuk mban “vija të kuqe” ndaj pushtetit, sipas saj, rrezikon të dobësojë demokracinë dhe vetë rolin e saj politik.

“PSD-ja po garon me një qëndrim të qartë: kemi nevojë për një opozitë, jo vetëm formale, por një opozitë që dëshiron të mbetet në opozitë. Një opozitë që, kur pushtetit i thotë ‘autoritar’ dhe ‘i rrezikshëm’, e ka përnjëmend dhe e konsideron më të rëndësishme luftën kundër autoritarizmit sesa ndarjen e pushtetit me të. Sepse, me një autoritar në koalicion, demokracia vdes dhe ti si subjekt politik tretësh. Prandaj, ne po garojmë për opozitë dhe po mundohemi ta bëjmë të qartë se një opozitë që nuk ka vija të kuqe ndaj autoritarizmit, nuk është opozitë,” ka përfunduar Kuçi.

Të Ngjashme