Lajme

Kulla: Ligji për Specialen nuk mjafton pa mbështetje financiare për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së

Drejtori i Global Crisis Group, Ilir Kulla, e ka cilësuar të pamjaftueshëm miratimin e Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, të miratuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës më 7 tetor 2026.

Sipas Kullës, nëse ligji nuk shoqërohet me mbështetje të konsiderueshme financiare për mbrojtjen në apel të katër ish-krerëve të UÇK-së, ai do të mbetet vetëm një tentativë politike.

“Ligji është një përpjekje e pamjaftueshme, shumë e rëndësishme, por nëse ligji nuk shoqërohet me buxhete të rëndësishme për mbrojtjen në apel të katër ish-krerëve të UÇK-së, do të mbetet vetëm një tentativë”, ka deklaruar Kulla në emisionin “Matrix” në Tëvë1.

Ai ka shpjeguar se, sipas tij, institucionet e Dhomave të Specializuara në Hagë kanë shpenzuar qindra miliona dollarë, ndërsa mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së kërkon mbështetje financiare dukshëm më të madhe sesa shumat që, sipas tij, janë në dispozicion.

“Që t’ua shpjegoj njerëzve, Prokuroria e Dhomave të Specializuara në Hagë, bashkë me gjykatën, kanë harxhuar qindra milionë dollarë këtë vit dhe mbrojtja e atyre njerëzve nuk mund të bëhet me 5-6 milionë dollarë, por duhet shumë mbështetje financiare, në mënyrë që të kenë të paktën një lloj balancimi në aftësinë e tyre për t’u mbrojtur, sepse duhet lobim, mbrojtje etj.”, ka thënë Kulla.

Ai ka shtuar se, ndonëse e përshëndet miratimin e ligjit si përpjekje politike, pa mbështetje të mjaftueshme financiare për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, nisma mbetet e pamjaftueshme./teve1.info/

Të Ngjashme