Drejtori i Global Crisis Group, Ilir Kulla, ka vlerësuar se një Serbi më demokratike mund të ndikojë edhe në qasjen e saj ndaj Kosovës, duke theksuar se ndryshimi i lidershipit në Beograd mund të sjellë një qasje më pak agresive ndaj Kosovës. Për këto zhvillime dhe pasojat e mundshme për Kosovën, Kulla ka folur në emisionin “Matrix” në Tëvë1, të moderuar nga Mehmet Kalisi.
Duke komentuar zhvillimet politike në Serbi dhe rënien e mundshme të ndikimit të Aleksandar Vuçiqit, Kulla ka thënë se demokratizimi i institucioneve serbe mund të krijojë hapësirë për ndryshime në raportet me Kosovën, ndonëse nuk pret që Beogradi ta ndryshojë menjëherë qëndrimin për njohjen e saj.
“Unë shpresoj që Serbia të jetë më demokratike. Demokratizimi i institucioneve do ta bënte të mundshme edhe një qasje tjetër ndaj Kosovës. Është normale që, në situatën në të cilën ndodhet Serbia, forcat politike të kenë një qasje të tillë ndaj Kosovës, por, nga ana tjetër, nuk do të kenë një qasje aq agresive”, ka deklaruar Kulla.
Ai ka përmendur edhe zhvillimet e së kaluarës, duke pretenduar se Vuçiqi ka pasur rol të drejtpërdrejtë në veprimet kundër Kosovës, përfshirë ngjarjet në Banjskë, në të cilat, sipas tij, kanë qenë të përfshirë edhe Lista Serbe dhe shërbimi sekret serb.
Kulla ka theksuar se zhvillimet politike në Serbi duhet të përcillen me vëmendje, veçanërisht në prag të zgjedhjeve presidenciale të dhjetorit, duke vlerësuar se presidenti serb ka kompetenca të rëndësishme në sistemin politik të vendit.
Ai ka folur edhe për Partinë Socialiste të Serbisë, të udhëhequr nga Ivica Daçiqi, duke shprehur bindjen se kjo parti po përballet me dobësim të ndikimit politik.
Gjatë intervistës, Kulla është ndalur edhe te deklaratat e Ivica Daçiqit lidhur me Kosovën dhe përmendjen e vizitës së tij në Prizren.
Ai i ka kritikuar deklaratat e Daçiqit, duke i cilësuar ato si pasqyrim të qëndrimeve politike të tij dhe të partisë që përfaqëson.
“Është normale që, kur gënjen shumë, të përballesh me efektet e kësaj. Ivica Daçiq është një gënjeshtar i shkëlqyer. Edhe deklaratat e tij për Kosovën nuk janë asgjë më shumë dhe asgjë më pak sesa pasqyrë e asaj që përfaqësojnë Ivica Daçiqi dhe partia e tij”, ka thënë Kulla.
