31 maji dhe 7 qershori janë datat e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme pas dështimit për ta zgjedhur presidentin. Sipas monitoruesve të proceseve zgjedhore, Komisioni Qendror Zgjedhor ka pak më shumë se 1 muaj kohë për t’u përgatitur dhe administruar zgjedhjet e reja.
Kuvendi kishte afat deri në mesnatën e 28 prillit për ta zgjedhur presidentin, pasi mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundoi në fillim të prillit. Kryeministri, njëherësh lideri i LVV-së Albin Kurti dhe partitë opozitare nuk arritën një marrëveshje për ta zgjedhur shefin e shtetit.
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, është takuar të mërkurën me kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqin për të diskutuar për datën optimale për zgjedhjet e reja. Në anën tjetër, sipas informacioneve që ka siguruar KosovaPress, Haxhiu nuk i ka ftuar ende partitë politike për të diskutuar për datën e zgjedhjeve.
Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, thotë për KosovaPress se prej shpërndarjes së Kuvendit janë 45 ditë afat për mbajtjen e zgjedhjeve.
Sipas tij, Haxhiu e ka detyrim mbajtjen e takimit me të gjitha subjektet politike dhe pastaj të përcaktohet për datën e zgjedhjeve.
Jakaj: Në këto data mund të mbahet zgjedhjet reja
“Dihet që sipas Kushtetutës së Kosovës, zgjedhjet duhet të mbahen brenda afatit prej 45 ditëve kur shpallen ato zgjedhje, që do të duhej të shpalleshin sot, dhe datat optimale, 31 maji dhe 7 qershori. Pra, brenda këtyre dy datave do të duhej me u përcaktuar fillimisht partitë politike të cilat do t’i thërrasë zonja Haxhiu dhe më pastaj edhe zonja Haxhiu të vlerësojë se cila datë është më e mira për arsye të planifikimit edhe të koordinimit të punëve nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sepse partitë politike mund të ndodhë që të kërkojnë që të mbahen brenda 20 ditëve, sepse ky afati brenda 45 ditëve, në rrethana ose në situata tepër të jashtëzakonshme, zgjedhjet mund të mbahen edhe brenda 20 ditëve. Por do të duhet me e pa edhe mendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve se cilat janë datat që edhe ata mund të përgatiten logjistikisht që të administrojnë me një proces kaq të rëndësishëm të zgjedhjeve”, thotë ai.
E përgatitje më të madhe të KQZ-së për administrimin e procesit të ri zgjedhor kërkon analisti politik, Adrian Zeqiri.
Zeqiri: KQZ duhet të përgatitet në mënyrë të mirëfilltë për zgjedhjet e reja
“Hapësira e manovrimit për çështjen e datës së zgjedhjeve është e shkurt, në kuptimin që KQZ-ja duhet të përgatitet në mënyrë të mirëfilltë. Janë vetëm 45 ditë maksimumi dhe jemi duke folur për 7 qershorin datën e fundit”, thekson Zeqiri.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të sivjetme janë të tretat prej vitit 2025. Kosova ka mbajtur zgjedhje parlamentare edhe në shkurt dhe dhjetor të vitit 2025.
