Shëndetësi

Kur pritet që barnat ta kenë çmimin e njëjtë në të gjitha barnatoret e Kosovës?

Zëvendëskryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës (OFK), Astrit Haxhijaha, në një intervistë për GazetaBlic, ka theksuar se ligji për çmimet e medikamenteve mjekësore në Kosovë, do të zvogëlojnë tregun ilegal dhe pas një muaji do të fillojë zbatimi i këtij ligji.

“Në korrik të vitit të kaluar Kuvendi i Republikës së Kosovës, e ka miratuar ligjin për produktet medicionale edhe pse në planifikim është bërë që të zbatohet në muajin janar të këtij viti. Mirëpo, për shkak të disa çështjeve teknike, Ministria e Shëndetësisë e ka përfunduar në muajin maj të këtij viti dhe procedurat standarde të operimit që nënkupton forma e aplikimit, këtu kanë pasur të drejtë të aplikojnë të gjitha depot farmaceutike apo edhe qarkulluesit me shumicë të cilat i kanë produktet e regjistruara në Agjensionin për Produkte dhe Pajisjet Medicionale”, tha Haxhijaha.

Zëvendëskryetari i (OFK), potencoi për GazetaBlic se barnatoret të cilat kanë licensim në Kosovë pas miratimit të këtij ligji do të kenë çmimet e njëjta të barnave në të gjithë vendin.

“Me 16 maj është implementuar vendimi i procedurave sipas informacioneve publike nga Ministria e Shëndetësisë pritet që të kalojnë nëpër procedurat e ankesës që janë një muaj dhe pas një muaji besoj që do të filloj zbatimi i tij. “Pikërisht për këtë ky unifikim të çmimeve i ka edhe në procedurat standarde të operimit i ka referencat e shteteve,e ka shtetin e Shqipërisë, Maqedonë, Malin e Zi, dhe Kroacinë. Momentin që fillon së zbatuari ligji ateherë të gjitha barnatoret e licensuara në Kosovë do të kenë çmimet e njëjta të barnave. Momentin që finalizohet besoj që të fillojë zbatimi i tij dhe Oda e Farmacistëve të Kosovës e përkrahë fuqishëm këtë implementim të këtij ligji për çmime”, tha tutje ai.