Lajme

“Kur të vijë me latinë të vegjël, hajt për hajër”/ Jo vetëm kokainë e para, “çunat” e drogës ranë në dashuri me latinet! (Bisedat në SkyEcc)

Detaje të reja janë zbuluar lidhur me grupin kriminal të drejtuar nga Luçiano Koçeku dhe Alfredo Hamzai, të cilët prej vitesh kishin ndërtuar një rrjet të fuqishëm në Amerikën Latine për trafikimin e kokainës drejt Europës.

Sipas hetimeve, anëtarët e grupit kishin krijuar edhe një jetë të qëndrueshme në ato vende, ndërsa paralelisht koordinonin aktivitetin kriminal.

Të vendosur në Kolumbi, Ekuador, Brazil dhe shtete të tjera të Amerikës Latine, nga komunikimet e zbërthyera në Sky Ecc, të publikuara nga InfoNews.al rezulton se disa prej tyre kishin krijuar lidhje me shtetase të Amerikës Latine dhe diskutonin plane për të krijuar familje e për të pasur fëmijë, ndërkohë që vijonin të ishin pjesë e rrjetit të trafikut ndërkombëtar të kokainës.

Bisedat në Sky Ecc:

ONJNHP: Vlla na u dashuru kteja si ndahet më ksaj hahahahaha

ONJNHP: gjith ditën dora në qafë

7B9F5E: Jalla jalla ajde për hajer

ONJNHP: kur të vije me latine te vegjel poshte hahahahahahaha

ONJNHP: me ato të capricos ke folur ti, sepse une kam një muaj e gjys nuk kam folur.

ONJNHP: i thashë vlla pyesni shokun andeja për punë sepse ma ka lënë…

Këto të dhëna janë pjesë e superdosjes hetimore të SPAK, e ndërtuar mbi materiale të ardhura nga disa vende evropiane, kryesisht Anglia, Spanja dhe Belgjika.

Dosjet e autoriteteve të huaja i dhanë ndihmën vendimtare prokurorëve shqiptarë për goditjen e grupeve kriminale të drejtuara nga Luçiano Koçeku dhe Alfredo Hamzai, të cilët akuzohen se trafikonin sasi të mëdha kokaine drejt Evropës dhe pastronin fitimet në Shqipëri, në bashkëpunim me Artur Shehun, Ilir Shtufin, Orges Birçajn dhe Orest Sotën.

Vetëm vendimi i Gjykatës së Posaçme për 20 masat e sigurisë përbëhet nga 855 faqe dhe dokumenton takime të drejtuesve të organizatës në Antverp të Belgjikës, Majorka të Spanjës, si edhe në ishullin Aruba, në Antilet Holandeze, i cilësuar nga hetuesit si “samiti” i bosëve të grupit.

Në dosje ka edhe një referim të veçantë për Artur Shehun, ku citohet një vendim i një gjykate belge për grupin e Alfredo Hamzait. Sipas autoriteteve belge, Shehu mbante një rol drejtues brenda organizatës kriminale.

Hetimi i SPAK nisi fillimisht si një procedim pasuror ndaj Denis Matoshit, i njohur si Eldi Dizdari, i cili në vitin 2020 u vu nën vëzhgim gjatë lëvizjeve për blerjen e një sipërfaqeje toke prej 500 metrash katrorë pranë stadiumit “Air Albania” në Tiranë.

Më 12 qershor, SPAK njoftoi ekzekutimin e 20 masave të sigurisë ndaj anëtarëve të dy grupeve kriminale, të cilat, sipas hetimeve, kishin krijuar kontroll të plotë mbi zinxhirin e trafikut të kokainës, nga furnizimi në Amerikën Latine deri te transporti drejt Evropës.

Fitimet e aktivitetit kriminal dyshohet se pastroheshin kryesisht në sektorin e ndërtimit në Shqipëri, ku në mënyrë të veçantë evidentohet ndërtuesi Ilir Shtufi.

Të Ngjashme