Kryeministri Edi Rama është shprehur këtë të martë, në një deklaratë për mediat nga selia e Partisë Socialiste, se ideja apo projekti për transformimin e ishullit të Sazanit në një eko-resort, siç ka kërkuar dhëndri i Donald Trump, është hedhur para se ai të bëhej kryeministër.
“Ideja e këtij projekti ka lindur përpara se unë të bëhesha kryeministër”, tha Rama, pasi një nga gazetaret e pranishme e pyeti nëse kjo kishte ndodhur vitin e kaluar kur dhëndri dhe vajza e Trump erdhën në Shqipëri dhe u takuan dhe me Ramën.
“Ju përflisni, pastaj flisni, pastaj vini dhe bëni pyetje, a thua se ato për të cilat ju flisni janë fakte. Unë flas për fakte. Ne sot kemi në tavolinë një ofertë fantastike me një potencial të jashtëzakonshëm, të cilën do ta shqyrtojmë sipas ligjit.
Kur them sipas ligjit, them dhe këtë: Ne do ta shqyrtojmë si përfaqësuesit e denjë të popullit shqiptar, që nuk negociojnë interesa personale, por negociojnë interesat e publikut në çdo hap. Siç kemi bërë me Portin e Durrësit, ku publiku sot është pjesë e atij investimi përmes aksioneve të shtetit shqiptar”, u shpreh kryeministri.
Edi Rama foli dhe për projektligjin e Amnistisë Penale, e cila u propozua para vitit të ri por ende ka mbetur në raftet e Kuvendit për shkak se mazhoranca dhe opozita nuk kanë arritur dakordësinë për votimin e saj. Megjithatë, zërat janë që këtë të enjte ajo do të votohet.
“Amnistia është në tryezën e Kuvendit dhe atë besoj unë do ta votojnë të gjithë, se nuk kanë ku shkojnë. Nuk votojnë për PS por për një akt që historikisht Parlamenti e ka bërë pa ndonjë ndasi, por krijon mundësi që shteti të lehtësojë barrën e dënimit”, tha Rama.
Si kryetar i Partisë Socialiste, ai tregoi se synimi i tyre është që deri në Kongresin e partisë në qershor 2024, ata të arrijnë 50.000 anëtarësime të reja në të gjithë Shqipërinë. Deri tani, sipas deklarimeve janë arritur rreth 30.000 anëtarësime të reja dhe Rama tha se objektivi i tyre është plotësisht i arritshëm.
“Është e domosdoshme të fuqizojmë Partinë Socialiste se është e vetmja forcë politike në Shqipëri që ka alternativë qeverisëse, forcë qeverisëse dhe objektivi ynë strategjik është që Shqipëria 2030 të ngjitet në atë majë që të mos ketë më kthim pas”, u shpreh Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë dhe kryetar i PS.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo