Për vite me radhë jetoi me dhimbjen e shpresën për t’u shëruar.
Është ky Ahmet Kukaj, që kërkoi ndihmë në Slloveni, Kroaci dhe Francë.
Te vendi i fundit madje qëndroi më gjati dhe kishte shpresa më të mëdha.
“Në Francë kam dal në vitin 2018 … Atje kam qëndrua pesë vjet e tre muaj. Kontrolle kam pas të panumërta. Më kanë lyp para, në fillim 35 mijë euro për më më operuar. Parat i kanë mbledh kushërinjtë e mijë, fshatarët e Korishtës, për tre ditë janë plotësuar parat”, ka thënë Kukaj.
Por pavarësisht përgatitjeve, operimi për Neurofibromatoza nuk është kryer.
“Në kohë të virusit sa që më kanë shti në sallë me u operuar ai kolegjiumi, më thoni “ me telemjekësi kanë me të përcjellë krejt bota, ka me u shkruar libër për ty, kam pranuar. Po ata janë tërheqë prej sallës së operimit i gatshëm, i përgatitë më kanë tërheqë dhe erdhën në përfundim nuk mundemi me të bërë asgjë”, ka thënë tutje Kukaj.
Pas kësaj përvoje, mundësia që të gjente zgjidhje në Kosovë i dukej pothuajse e pabesueshme.
Megjithatë, pas konsultimeve dhe rekomandimit për t’iu drejtuar Klinikës së Kirurgjisë Maksilofaciale në Prishtinë, ai vendosi t’u besonte mjekëve vendorë.
“Erdhi një mjek e ai kishte qenë drejtori, Alban Olluri. Erdh puna, ka qenë i katërmbëdhjeti e hënë, i 15 shtator ka qenë e martë më lënë për të martën me më operuar”, theksoj Kukaj.
Një nga momentet më të vështira, sipas Kukajt, ishte pritja para operacionit, kur dyshonte nëse ndërhyrja do të realizohej vërtet.
“I thash doktorit apo e sheh thuaje “ nuk e kemi mendjen me operuar, veç po më mbani vjerrë”. Thash po Zoti lartë, nëse ke frikë e di që francezët janë tërheqë edhe ti po frikësohesh a diçka. Po nëse mbes në brisk tek ju, nuk kanë me ju paditë as gruaja as djali, me shkrim po ta lë. Nëse shpëtojë, shpëtoj nëse jo unë nënshkruaj”, u shpreh Kukaj.
57 vjeçari kujton netët pa gjumë, dhimbjet e forta dhe vështirësinë për t’i parë fëmijët të shqetësuar nga gjendja e tij shëndetësore.
“Edhe me vdesë e më shku tash, pesë parë nuk i jap e pash veten që dua me pas suksese. Unë kam pasur dhimbje të mëdha, ka ndodh mëngjesi më ka qelë pa flet, “çka me bo”. Ju vije keq fëmijëve me më pa, u ngushtofsha edhe unë prej tyre, po nuk kishim çka me bë”, deklaroj Kukaj.
I njëjti ka një apel tek qytetarët e tjerë që besimin të mos e humbin asnjëherë.
“Besimin askush mos te humbë. Unë për që me vjen me u operua në Prishtinë, kurrë se kisha besuar. Po që dalin këta më të aftë se francezët e pash vet. Jo që nuk kam besuar, por e vërtetova që janë më të aftë se kanë më shumë guxim”, ka përfunduar Kukaj.
Kukaj thekson se përtej ndërhyrjes kirurgjikale, për të dhe familjen e tij ka pasur rëndësi edhe kujdesi i treguar nga mjekët, infermierët dhe pjesëtarët e tjerë të stafit shëndetësor.
