Lajme

Kurti: Abdixhiku vetëm ka refuzuar propozimet tona, lista me 15 nënshkrime ishte e paqartë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencë për media ka deklaruar se gjatë takimeve me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk ka pasur asnjëherë marrëveshje apo propozim konkret nga ana e kësaj partie.

Sipas Kurtit, komunikimi mes tyre ka qenë i njëanshëm, ku ai ka paraqitur vazhdimisht propozime, ndërsa Abdixhiku i ka refuzuar ato.

Ai theksoi se edhe në paraqitjen e fundit publike, të mbajtur në orët e vona të natës, përfaqësuesit e LDK-së dolën vetëm pas përfundimit të seancës dhe nuk ofruan asnjë propozim paraprak.

Kurti u ndal edhe tek letra me 15 nënshkrime e deputetëve, duke e cilësuar atë si të paqartë dhe jozyrtare.

Sipas tij, një dokument i tillë do të duhej të dorëzohej në mënyrë institucionale, qoftë tek shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, apo drejtpërdrejt tek ai.

Ai shtoi se në dokument nuk specifikohej qëllimi i nënshkrimeve dhe as nuk përmendeshin kandidatë konkretë, duke lënë të kuptohet se lista mund të dukej si një material i zakonshëm për ndonjë debat parlamentar.

“Unë me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku jemi takuar disa herë, nuk ka pasur asnjëherë ndonjë propozim për kundër saj mishte vetëm refuzime, unë propozime, ai refuzime, ndërkaq sa I përket paraqitjes së djeshme në orët e vona të natës së pari ata dolën pas seancës, e para seancës nuk e dhanë asnjë propozim. Letra me 15 nënshkrime do të mund të iu ofrohej LVV-së në mënyrë institucionale ose te shefja e grupit parlamentar, Arbërie Nagavci ose tek unë. Nuk shkruante për çka janë ata emra, emri I askujt nuk ishte aty përveçse i 15 deputetëve, dukej si me pas qenë ndonjë listë për ndonjë debat parlamentar për energjinë ose diçka tjetër, aty nuk thuhej se këta emra janë për këta kandidat”, ka deklaruar ai.

Të Ngjashme