Lajme

Kurti dhe Hamza janë takuar sot në Qeveri, nuk dihen detajet e takimit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, janë takuar sot në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, bëjnë të ditur burime e tëvë1.

Detaje lidhur me takimin dhe temat që janë diskutuar deri më tani nuk janë bërë të ditura. Megjithatë, sipas burimeve, në fokus të diskutimeve dyshohet të jetë Ligji për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Kurti dhe Hamza janë takuar edhe më 2 dhe 3 tetor, kur në fokus të diskutimeve ishte po ashtu ndryshimi i Ligjit për Specialen, në një kohë kur po zhvilloheshin përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje politike lidhur me çështjen e presidentit.

Pas takimit të 2 tetorit, Hamza kishte deklaruar se palët nuk kishin arritur marrëveshje, por nuk e kishte përjashtuar mundësinë e takimeve të tjera.

“Prioritet është ndryshimet për Ligjin për Specialen. Aprovimi i ligjit, pastaj diskutojmë për presidentin”, kishte deklaruar Hamza.

Ndërkohë, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara është miratuar në dy lexime në Kuvendin e Kosovës dhe më pas i është përcjellë presidentes Justina Shiroka- Pula nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, për shqyrtim dhe vendimmarrje.

Deri më tani nuk dihet nëse takimi i sotëm mes Kurtit dhe Hamzës ka prodhuar ndonjë dakordim të ri apo nëse palët kanë diskutuar për hapat e mëtejmë lidhur me këtë çështje.

Tëvë1 është në pritje të konfirmimit dhe detajeve shtesë nga palët.

Të Ngjashme