Lajme

Kurti dhe Qehaja ngushëllojnë familjarët nga Kosova pas aksidentit tragjik pranë Bllacës

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me aksidentin tragjik që u mori jetën tre shtetasve të Kosovës në afërsi të pikëkalimit kufitar Hani i Elezit–Bllacë, në territorin e Maqedonisë së Veriut.

Sipas informacioneve fillestare, automjeti është gjetur i përmbysur pranë rrethrrotullimit të parë në segmentin e autostradës që është ende në ndërtim. Dyshohet se drejtuesi i automjetit nuk e ka vërejtur me kohë rrethrrotullimin, ndërsa mungesa e ndriçimit në këtë pjesë të rrugës mund të ketë ndikuar në daljen e veturës nga rruga dhe përmbysjen e saj në humnerë.

Rasti është raportuar nga një qytetar rreth orës 22:35, pasi kishte vërejtur automjetin e përmbysur në kyçjen e autostradës së re. Në veturë udhëtonin Ejup Tërnava, Cennet Tërnava dhe Fatmire Shabani. Sipas të dhënave të para, dy prej viktimave kishin mbërritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit dhe më pas ishin nisur drejt Kosovës.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet policore dhe ato të Ndihmës së Shpejtë, ndërsa në orën 23:07 mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e të tre personave. Në hetimin e rastit janë angazhuar edhe Njësia për Siguri në Komunikacionin Rrugor, zyrtarë të Stacionit Policor të Çairit dhe inspektorë të sektorit të hetimeve.

Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave, duke bërë të ditur se Ambasada e Kosovës ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet maqedonase, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Policinë e Kosovës dhe familjarët për të ofruar mbështetjen e nevojshme. Ai njoftoi se, pas përfundimit të procedurave nga autoritetet kompetente, trupat e pajetë pritet të transportohen në Kosovë.

Ngushëllime për familjet e viktimave ka shprehur edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se ndan dhimbjen me familjet dhe të afërmit e Ejup Tërnavës, Cennet Tërnavës dhe Fatmire Shabanit për humbjen e tyre tragjike.

Të Ngjashme