Lajme

Mbyllja e hetimeve për dosjen “Balluku”, SPAK merr të pandehur edhe 5 biznesmenë! (EMRAT)

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka marrë të pandehur edhe pesë biznesmenë, si të përfshirë në dosjen e ish zëvendës kryeministres dhe ish ministres Belinda Balluku.

Të pandehur u morën biznesmenët Pandeli Carapuli, Arbër Abazi, Ramë Geci, Paqësor Buzaj dhe Artan Sako.

Sipas të dhënave, pesë sipërmarrësit janë përfshirë në dosjen hetimore që lidhet me dyshimet për manipulimin e procedurave të tenderimit dhe përfitime të parregullta nga kontratat publike.

Arbër Abazi dhe Artan Sako lidhen me tenderin e Lotit 7 të Unazës së Madhe të Tiranës, ndërsa Paqësor Buzi me tenderin e Lotit 5. Ramë Geci përfshihet në hetimet për ndërtimin e rrugës Porto Romano-Durrës, Loti 3.

Ndërkohë, Pandeli Carapuli është marrë i pandehur për pastrim parash, në lidhje me vilën në kompleksin turistik “White Rocks” në Dhërmi.

Hetimet e SPAK përqendrohen në nëntë procedura tenderimi, si dhe në dyshimet për korrupsion dhe pastrim parash.

AKUZAT NDAJ BALLUKUT

Belinda Balluku akuzohet zyrtarisht për shkelje të barazisë në tendera, korrupsion, fshehje dhe mosdeklarim pasurie dhe pastrim parash.

Në muajin dhjetor, SPAK iu drejtua Kuvendit me një kërkesë për heqjen e imunitetit të saj si deputete, për t’i hapur më pas rrugën dhënies së një mase më të rëndë sigurie ndaj saj, si arresti në shtëpi apo arresti në burg, por maxhoranca socialiste, me votat e saj refuzoi.

VILAT E SEKUESTRUARA

SPAK i sekuestroi dy vila, një në Dhërmi dhe një në Palasë, të cilat dyshohet se ishin fshehur nën emrin e ish-futbollistit Igli Tare.

Vila e parë u zbulua në Dhërmi, me një vlerë prej 145 mijë eurosh, dhe u sekuestrua në qershor. SPAK dyshon se Balluku e ka përfituar vilën si ryshfet për një tender në këmbim të favorizimit të kompanisë “Eurocol”, me fond limit 88.6 milionë lekë dhe një shtesë kontrate prej 14.1 milionë lekësh në kohën që kur ajo drejtonte “Albcontrol”.

Sipas organit të akuzës, për të fshehur pronësinë reale të vilës, Balluku ka përdorur Igli Taren dhe vartësen e saj në kohën kur drejtonte Albcontrol, shtetasen J.B, përmes kontratave të porosisë dhe qirasë të konsideruara fiktive nga hetuesit.

Ndërsa vila e dytë, në Palasë, iu sekuestrua në shtator. Sipas SPAK, Belinda Balluku dyshohet se e përfitoi vilën në Palasë në këmbim të favorizimit të kompanisë “Alko Impex General Construction” në tenderin për Lotin 7 të Unazës së Jashtme të Tiranës, me fond limit rreth 23.5 milionë euro.

Sipas hetimit, investimi në vilë u krye nga pronari i kompanisë fituese, Arbër Abazi, me një vlerë që SPAK e përllogarit nga 288,616 deri në 410,526 euro. Fillimisht, për ndërtimin e saj deri në fazën e karabinasë dyshohet se është përdorur Igli Tare, përmes një kontrate sipërmarrjeje prej 250 mijë eurosh.

SPAK pretendon se Balluku e ka fshehur pronësinë reale duke e regjistruar vilën në emër të Igli Tares. Për këtë qëllim, sipas prokurorisë, është përdorur edhe një kontratë e dyshuar si fiktive shitjeje, e datës 12 shtator 2025.

Të Ngjashme