Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të martën emërimin e zëvendësministrave të Qeverisë së re, vetëm dy ditë pasi Kuvendi i Kosovës votoi përbërjen e ekzekutivit të ri.
Sipas njoftimit të Qeverisë, në listën e zëvendësministrave të rinj janë përfshirë edhe disa emra që kanë ushtruar të njëjtat funksione edhe gjatë mandatit të kaluar.
Në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës janë emëruar Përparim Kryeziu, si zëvendësministër i parë, dhe Muhedin Nushi, zëvendësministër.
Në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, postin e zëvendësministrit të parë do ta mbajë Kreshnik Ahmeti, ndërsa në Ministrinë e Financave është emëruar Hysni Mehani.
Për administrimin e pushtetit lokal, Agon Batusha është emëruar zëvendësministër i parë. Ndërkaq, në Ministrinë e Ekonomisë janë emëruar Getoar Mjeku, zëvendësministër i parë, dhe Triera Kasumi-Berisha, zëvendësministre.
Në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit janë emëruar Fatban Bunjaku, zëvendësministër i parë, dhe Jeton Mehmeti, zëvendësministër.
Ali Dula është emëruar zëvendësministër i parë në Ministrinë për Zhvillim Rajonal, ndërsa në Ministrinë e Punëve të Brendshme këtë pozitë do ta mbajë Enver Dugolli.
Në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit është emëruar Zef Morina, ndërsa në Ministrinë e Sportit dhe Rinisë Daulina Osmani është emëruar zëvendësministre e parë. Në të njëjtën ministri është emëruar edhe Sejnur Veshall.
Në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor janë emëruar Avni Zogiani, zëvendësministër i parë, dhe Driton Hyseni, zëvendësministër.
Agon Dobruna dhe Besart Jashari janë emëruar në Ministrinë e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, përkatësisht si zëvendësministër i parë dhe zëvendësministër.
Në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit janë emëruar Nora Arapi-Krasniqi, zëvendësministre e parë, dhe Tijana Veljkovic, zëvendësministre.
Në Ministrinë e Shëndetësisë është emëruar Arsim Berisha, ndërsa në Ministrinë e Drejtësisë Genc Nimoni do të jetë zëvendësministër i parë.
Në Ministrinë e Mbrojtjes janë emëruar Gegë Lleshi, zëvendësministër i parë, dhe Enis Kervan, zëvendësministër.
Ndërkaq, në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim janë emëruar Lulzim Hetemi, zëvendësministër, dhe Ratomir Minic, zëvendësministër i parë.
Në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural është emëruar Igor Mitic.
Me këto emërime, Qeveria e re ka kompletuar një pjesë të rëndësishme të strukturës së saj drejtuese, ndërsa disa prej zyrtarëve të emëruar do të vazhdojnë në pozitat që kanë mbajtur edhe gjatë mandatit të kaluar.
