Lajme

Kurti falënderon deputetët për miratimin e ligjit, Kosova një hap më afër integrimit në SEPA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka falënderuar deputetët që votuan në lexim të dytë ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Terrorizmit.

Përmes një shkrimi, Kurti ka theksuar se miratimi i këtij ligji i mundëson Kosovës të përmbushë edhe kushtin e fundit për integrimin në sistemin evropian të pagesave SEPA (Single Euro Payments Area).

Sipas kryeministrit, ky integrim do të mundësojë realizimin e transfereve bankare me kosto dukshëm më të ulët, duke sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët, bizneset dhe mërgatën.

Kurti ka bërë të ditur se kursimet e pritshme nga tarifat e transfereve bankare arrijnë në rreth 58 milionë euro në vit.

“Dua të shpreh falënderimin tim për deputetët që dje votuan në lexim të dytë ndryshim/plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimit të Terrorizmit.

Miratimi i këtij ligji i mundëson Kosovës të plotësojë edhe kushtin e fundit për t’u integruar në sistemin evropian të pagesave SEPA (Single Euro Payments Area).

Ky integrim mundëson transferta bankare të parave me kosto shumë më të ulët dhe do t’u kursejë qytetarëve, bizneseve e mërgatës sonë rreth 58 milionë euro në vit nga tarifat e reja”, ka shkruar Kurti.

Integrimi në SEPA synon ta lehtësojë qarkullimin e pagesave në euro ndërmjet Kosovës dhe vendeve pjesëmarrëse në këtë sistem, duke ulur kostot e transfertave dhe duke lehtësuar marrëdhëniet financiare të qytetarëve dhe bizneseve me vendet evropiane.

Të Ngjashme